Topi dekreton numrin e gjyqtarëve në Fakt e Apel
TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi "vulos" numrin gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit në të gjithë rrethet gjyqësore të vendit. Sipas dekretit të dalë dje nga zyra e Presidentit, i cili është futur në fuqi menjëherë, në dy shkallët e para të gjyësorit do të ushtrojnë profesionin një total prej 674 gjyqtarësh. Gjishtashtu në dekretin e djeshëm, përveç përcaktimit të numrit të gjyqtarëve në dy shkallët e para të gjyqësorit, përcaktohej edhe shtimi me nga 3 gjyqtarë për ndonjë nga tre vitet e ardhshme në radhët e gjyqtarëve në Gjykatën e Tiranës. Referuar faqes zyrtare elektronike të Presidentit të Republikës u bë e për përcaktimin e numrit të togave të zeza është marrë parasysh propozimi i Ministrit të Drejtësisë. "Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 8 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 'Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë', me propozim të Ministrit të Drejtësisë", thuhej në dekret. Sipas dekretit të djeshëm rrethi gjyqësor që do të ketë numrin më të madh të gjyqtarëve do të jetë Rrethi Gjyqësor Tiranë, i cili do të ketë 61 gjyqtarë në shkallën e Parë dhe 25 gjyqtare në Apel. Ndërsa gjykatat me numër me të vogël të gjyqtarëve do të jenë ato të shkallës së parë në Mat, Përmet, Pukë dhe Tropojë, përkatësisht me nga 4 gjyqtarë. Po sipas dekretit të Presidentit, numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë më 1 shtator të vitit 2010 do të jetë 64, në 1 shtator të vitit 2011 do të jetë 67 dhe në 1 shtatotr të vitit 2012 do të jetë 70 gjyqtarë. Dekreti i djeshëm shfuqizoi dekretin e datës 07.12.1993 "Për caktimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve dhe të ndihmësgjyqtarëve" dhe dekretin e datës 30.05.1995 "Për një shtesë në numrin e gjyqtarëve dhe të ndihmësgjyqtarëve të gjykatave të rretheve". ar.ba