E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina e gripit, farmacitë e gjejnë privatisht

 

Asnjë njoftim zyrtar për mbërritjen e vaksinës së gripit të zakonshëm. As nga Ministria e Shëndetësisë, as nga Instituti i Shëndetit Publik. Por pavarësisht kësaj në një pjesë të mirë të farmacive të Tiranës është siguruar ky medikament. Vaksina kushton 1200 lekë dhe kërkesat kanë qenë tepër të larta. “Qytetarët duke nisur nga muaji gusht kanë kërkuar paketa vaksinash për të afërmit e fëmijët, duke krijuar kështu një sasi të konsiderueshme për t’u blerë me shumicë”, shprehen farmacistët. Vaksinat kane ardhur nga vendet e Bashkimit Evropian dhe janë siguruar duke zbatuar të gjitha rregullat e tregtisë së barnave në territorin e vendit tonë. Kjo vaksinë ndihmon për të imunizuar organizmin nga qarkullimi i gripit të zakonshëm 2009-2010. Kryesisht vaksina sugjerohet për fëmijët e vegjël, moshat e treta, pacientët kronikë dhe personat që janë në lëvizje të vazhdueshme. Për sa i takon periudhës kur mund të merret është nga shtatori deri në nëntor, më pas vaksina ul efektshmërinë. Në një kohe kur farmacistët arrijnë ta sigurojnë në mënyrë private, Ministria e Shëndetësisë nuk ka mundur të blejë asnjë sasi vaksinash për ta pasur stok për kategoritë që e përfitojnë falas. Ndërkaq drejtuesit e këtij dikasteri kanë premtuar se sigurimi i vaksinës kundër gripit AH1N1 nuk do të jetë proces i vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›