E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet polici i rremë, 14 raste mashtrimi në Tiranë

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, zbulojnë policin e rremë që mashtroi 14 qytetarë të Tiranës, duke u vjedhur paratë dhe sendet personale.
 Personazhi i vënë nën akuzë për një krim jo të zakontë, është Genci Qoli, i arrestuar më 11 qershor 2009. Me një radio policie në duar dhe një e folur e kujdesshme e bindëse, ai ka arritur të mashtrojë 14 qytetarë në një periudhë kohore të shkurtër, duke arritur përfitime të majme financiare. Historia nis në fillim të këtij viti, kur pre e policit të rremë kanë rënë viktimat e para. Në rrugë, në spital, në autobus apo kudo tjetër, 14 precedentët e zbardhur plotësisht nga hetimi i Prokurorisë dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, tregojnë se 36-vjeçari kryente një aktivitet të menduar deri në detaje. I arrestuari nga Laçi, është denoncuar fillimisht nga një qytetar por më pas plot 13 dosje të tjera u regjistruan në emër të tij, të gjitha për veprën penale të mashtrimit.
Supermashtruesi
Denoncimi i parë i mbërritur në polici nga një i moshuar, i cili ka rënë pre e policit të rremë duke denoncuar më pas se personi që i kishte vjedhur paratë kishte qenë efektiv policie. Kaq është dashur që hetimin e ngjarjes ta merrte në dorë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, gjithnjë duke menduar se mashtruesi ishte polic i vërtetë. Hetimet e para zbuluan sekretin e 36-vjeçarit. Ai rezultoi se nuk ishte efektiv policie, por derisa kjo u zbulua, bashkë me provat tjera ishin dokumentuar plot 14 raste mashtrimesh të kryera prej tij. Arrestimi i të dyshuarit u krye më 11 qershor gjatë aksionit të koduar me emrin "Hija". Vetëm në këtë kohë viktimat e 36-vjeçarit që kërkonin drejtësi, kanë besuar se Genci Qoli nuk ishte efektiv policie, kur kanë parë policët e vërtetë t'i vinin prangat në duar. 
Viktimat
Viktimat e para kanë qenë persona të moshuar dhe invalidë. Polici i rremë i ndalonte në rrugë dhe në disa raste u thoshte se ishte inspektor krimesh dhe në raste të tjera shef i antikrimit ekonomik. "Jeni persona në kërkim, duhet t`ju bëj një kontroll", u thoshte mashtruesi viktimave të tij, të cilët duke parë sjelljen prej polici të 36-vjeçarit, detyroheshin të dorëzonin çantat, celularët dhe portofolin me para që kishin me vete. Pas kësaj, Genci Qoli, sipas hetimit, u thoshte viktimave të tij se do të shkonte në komisariatin më të afërt për të bërë disa verifikime dhe se do të kthehej shpejt. Në fakt 36-vjeçari zhdukej pa lënë gjurmë, duke marrë me vete sendet personale, telefonat dhe paratë e viktimave.
Lokali me dy porta
I akuzuari ka vepruar kryesisht në dy zona. Tek rruga e Durrësit dhe në zonën e Bërrylit tek rruga "Bardhyl". Në këto dy zona të kryeqytetit 36-vjeçari kishte piketuar dy lokale që kishin dy porta të ndryshme për hyrje. Duke shfrytëzuar daljet e pasme, i akuzuari, sipas hetimit ulej me viktimat në këto bare dhe pasi u merrte sendet personale, dilte nga porta e pasme e lokalit dhe zhdukej pa lënë gjurmë. Kështu ka ndodhur me dy persona, të cilëve i akuzuari u ka marrë 3200 mijë lekë dhe 25 mijë lekë në datat 11 maj dhe 5 qershor 2009. Sipas hetimeve, i dyshuari ka përfituar më pas, 20 mijë lekë nga një person të cilin e ka mashtruar te rruga "Durrësit", 195 mijë lekë të reja nga një person i mashtruar tek rruga e Kavajës si dhe 141 mijë lekë nga një person "i ndaluar" në bulevardin "Zogu I". Burimet nga hetimi thonë se në të gjitha rastet, 36-vjeçari përdorte mekanizëm të njëjtë për mashtrimin e viktimave të tij. Sipas hetimit, polici i rremë studionte persona që vinin nga zonat e largëta në Tiranë, duke menduar se ata mund t'i mashtronte më lehtë. Këtyre personave i arrestuari u thoshte se "jeni njerëz që ndiqeni nga policia dhe duhet të dorëzoni gjithçka keni me vete për kontroll". Pasi merrte paratë dhe sendet personale, 36-vjeçari zhdukej duke lënë pas 14 kallëzime penale nga të dëmtuarit. Të gjitha këto raste janë zbardhur plotësisht nga SHKB dhe prokuroria, edhe me anë të ballafaqimit të 36-vjeçarit me viktimat e tij.

PRECEDENTET E MASHTRIMEVE

5 qershor 2009, rr.Durrësit, mashtroi shtetasin A. I
11 qershor 2009, në QSUT, mashtroi shtetasin M.M,
23 janar 2009, tek Hotel Diplomat, mashtroi shtetasin Xh.C
23 janar 2009, tek rruga Bardhyl, mashtroi shtetasin D.H
23 janar 2009, në qendër, mashtroi shtetasin K.B
28 janar 2009, tek spitali nr.5, mashtroi shtetasin I.Sh
28 shkurt 2009, tek rruga e Elbasanit, mashtroi N.D dhe E.P
5 mars 2009, në qendër, mashtroi shtetasin R.K
30 mars 2009, tek rruga e Durrësit mashtroi shtetasin H.S
7 maj 2009, në qendër, mashtroi shtetasin V.S, A.GJ dhe M.C
11 maj 2009, tek rr.Durrësit mashtroi shtetasin H.Xh
13 maj 2009, tek rr.Durrësit, mashtroi shtetasin H.T

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›