I merr 700 mijë lekë, zhduket "biznesmeni"
I premton se do t'i ndërtojë shtëpinë, zhduket pasi i merr 700 mijë lekë. Kristo Biba, 44 vjeç është shpallur në kërkim nga policia pasi u akuzua për mashtrim nga shtetasi 68-vjeçar Ali Sinani, banor i fshatit Gryksh, komuna Pajovë në Peqin. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se Sinani ka bërë kallëzim në sektorin kundër krimit krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Paditësi ka pohuar se, që prej muajit shkurt të këtij viti, 44-vjeçari Biba e ka mashtruar duke i marrë shuma parash kundrejt premtimit se do t'i ndërtonte shtëpinë. Madje, sipas 68-vjeçarit ai i ka dhënë Bibës, i cili pretendonte se kishte një firmë ndërtimi, edhe tre shuma parash, të cilat kapin vlerën e rreth 700 mijë lekëve të rinj. Këto para, Sinani ia kishte dhënë në formë kësti, me qëllim nisjen e punimeve për shtëpinë e re, buzë rrugës së fshatit Gryksh. Por, jo vetëm që shtëpia nuk ka nisur së ndërtuari, por prej javësh, Biba ishte larguar pa lënë asgjë gjurmë. Denoncuesi ka pohuar se ato para i kishte mbledhur nga të ardhurat e fëmijëve të tij që punonin në emigracion. Pas denoncimit, policia ka shpallur në kërkim Kristo Bibën, me akuzën e mashtrimit. a.k