E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga ish-deputetit të PD

 

DURRES/ OERD ULQINI

Arrestohet për abuzime me pronat në zonën bregdetare ish-deputeti i Durrësit, Flori Bajramaj. Vetëm një orë pasi në Tiranë nisi seanca e parë parlamentare me deputetët e rinj, 38-vjeçarit që deri 5 muaj më parë ishte në radhët e tyre iu vunë prangat papritur. Në fakt, forcat e policisë së Durrësit e kishin marrë urdhrin e ndalimit disa orë para, kur në fshehtësi të plotë gjykata e rrethit vendosi masën e sigurisë "arrest me burg". Bashkë me Bajramajn u arrestua dhe Pasho Beqiri, 50 vjeç. Të dy këta persona, sipas policisë, kanë qenë anëtarë të Këshillit Teknik në komunën e Rrashbullit, që përfshin zonën turistike bregdetare nga "Plepat" deri te Përroi i Agait. Veç kësaj detyre ata ishin dhe përfaqësues të KRRT-së së komunës nga viti 2002 e deri në 2005, kohë në të cilën sipas hetuesve janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin e Urbanistikës, duke miratuar kërkesa për sheshe dhe leje ndërtimi, në prona publike, pa vërtetim pronësie.
Arrestimi
Me t'i skaduar imuniteti përfundon në prangat e agjentëve të policisë së Durrësit. Ka qenë ora 19:00, kur agjentët civilë i kanë komunikuar Flori Bajramajt urdhër-arrestin e prerë nga Gjykata e Durrësit në adresë të tij. Prangosja e ish-deputetit Bajramaj dhe e Pasho Beqirit, (ish-kryetar i këshillit teknik në komunën Rrashbull) është kryer në shtëpitë respektive dhe asnjëri prej të arrestuarve nuk ka bërë rezistencë, duke iu bindur pa hezitim autoritetit policor. Bajramaj, juristi që fitoi bindshëm mandatin e deputetit në zgjedhjet e vitit 2005 nën siglën e PD-së, është arrestuar për shpërdorim detyre. Hetuesit kanë dyshime se zona e njohur si "Shkëmbi i Kavajës", territor i administruar nga komuna Rrashbull, është shpërdoruar nga dy të pandehurit, të cilët të veshur me autoritetin e komunës kanë tjetërsuar afro 12 parcela (pronë shtetërore), të cilat më pas janë shndërruar në sheshe ndërtimi. Për këtë motiv edhe operacioni policor është koduar me emërtimin "Shkëmbi i Kavajës". Bajramaj është ndaluar në zonën e plazhit, aty ku dhe jeton, ndërsa Beqiri në Shkallnuer. Pasi është njohur me dosjen hetimore, gjykata ka shqyrtuar në fshehtësi problematikën, duke dhënë masën e sigurisë "arrest në burg" me vendimet numër 548 dhe 549 të datës 16 shtator për dy shtetasit që, sipas saj, kanë konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Vetëm pesë orë ka zgjatur lëshimi i fletë-arrestit nga Gjykata e Faktit, pasi në një kohë rekord policia e ka ekzekutuar atë.
Hetimi
Hetimet kanë nisur prej vitesh nga denoncime kryesisht të ish-pronarëve, por duket se mandati i deputetit i zotëruar nga Bajramaj ka "shtyrë" operacionin për arrestimin e njeriut "Vip". Hetuesit kanë marrë si pikënisje periudhën 2002-2005, kohë në të cilën juristi Flori Bajramaj ishte anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në Rrashbull dhe anëtar teknik i komunës. Policia bën me dije se zotëron prova që Bajramaj dhe Beqiri në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kaluar për shqyrtim dhe miratuar fillimisht si anëtarë teknikë dhe më pas si anëtarë të KRRT-së disa kërkesa për sheshe e leje ndërtimi (në pronë publike, pa vërtetim pronësie) në kundërshtim me ligjin për Urbanistikën. Duhet thënë se aktualisht as Beqiri dhe as Bajramaj nuk kanë funksione në KRRT-në e komunës Rrashbull. Kjo komunë rurale administron një territor të lakmueshëm bregdetar që shtrihet nga "Plepat" e deri te "Përroi i Agait", gjatësia e të cilit në Adriatik shtrihet në gjashtë kilometra. Duke qenë se segmenti bregdetar i komunës Rrashbull ka qenë kryesisht tokë shtetërore, shumë parcela të saj janë përdorur për kompensimin e ish-pronarëve, por edhe shumë të tjera janë tregtuar përmes makinacioneve të jashtëligjshme.

Të arrestuarit

Flori Bajramaj, 38 vjeç, nga viti 2002-2005 anëtar i Këshillit Teknik të Komunës Rrashbull në Durrës dhe anëtar i KRRT-së së saj

Pasho Beqiri, 50 vjeç, nga viti 2002-2005 kryetar i Këshillit Teknik në Komunën Rrashbull dhe anëtar i KRRT-së së saj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›