Hasreti i Zvicrës

Futbolli zviceran ka filluar dalëngadalë të pushtohet nga shqiptarët. Pas shumë futbollistëve që luajnë nëpër klube të ndryshme të këtij vendi, në shtetin helvetik një shqiptar po e ndan drejtësinë në fushën e blertë.
Ai është Bekim Zogaj, i cili aktualisht është i vetmi shqiptar që ndan drejtësinë në futbollin zviceran, respektivisht në Challenge League (liga e dytë e Zvicrës).
Sikur edhe gjyqtarët tjerë të futbollit, edhe Bekim Zogaj ka nisur këtë zeje nga pasioni për lojën e futbollit, pasi që nga viti 1991 deri më 1999 ka luajtur për FC Wiesendangen të Winterthurit.
Në vitin 1997 ka mbaruar kursin për gjyqtar futbolli. Për dy vite ka qenë në "Grupin e talenteve të Cyrihut", të cilin tash, pas sa vitesh, e udhëheq si shef i tyre. Në një intervistë dhënë ueb faqes albinfo.ch, Zogaj ka treguar se primare ka avancimin në punën e gjyqtarit.
"Si gjyqtar kam arritur deri në shkallën e kandidatit për gjyqtar kryesor në Challenge League. Prej një korrikut jam gjyqtar anësor në këtë ligë. Paralelisht jam edhe kandidat për gjyqtar ndihmës në Superligë", shprehet ai.
Bekimi është angazhuar edhe si gjyqtar në Futsal. Para një muaji ai ka marrë pjesë në një turnir të madh të mbajtur në Riga të Letonisë. Ky sukses e ka vënë atë para dilemave: të vazhdojë me futboll klasik apo të orientohet në futsall
"Nëse do të kem sukses të inkuadrohem në Superligë ose të bëhem gjyqtar anësor i FIFA-s, do të vazhdoj me referim në fushë të hapur. Nëse jo, atëherë orientimi që do të marr do të jetë futsal", thotë Bekim Zogaj.
Prej dy vitesh Bekimi është futur në listë të FIFA-s për futboll të vogël, ku nuk ka ende asnjë gjyqtar tjetër zviceran. Rezultatet e tre turnirëve të fundit - në Malta, Letoni e Islandë, ia përforcojnë atij vendin në këtë listë.
Zogaj, i cili ka lindur në Prejlep të Deçanit, ka njohuri të mira rreth kushteve në të cilat punojnë kolegët e tij në Kosovë.
"Kam qenë në prill atje, ku kam referuar ndeshjen në futboll të vogël në mes të Prishtinës dhe kampionit të Zvicrës. Njihem me disa gjyqtarë të Kosovës, mbaj kontakte me ta, i admiroj për punën që e bëjmë me idealizëm në kushte të vështira", thotë Zogaj i cili shpreh keqardhje për problemet që përballen gjyqtarët në futbollin e Kosovës
Para Zogajt, në Challenge League drejtësinë e ka ndarë edhe Saimir Reli nga Shqipëria, i cili tashmë e ka braktisur referimin.