E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, e fortë për Lepencin

Pas humbjes nga Hysi, skuadra e Prishtinës ka shënuar fitore përballë Lepencit me rezultat 3:1, në ndeshjen e parë të xhiros së katërmbëdhjetë të Superligës, e cila u zhvillua të martën në kryeqytet.

Prishtinasit kanë dominuar përballë kaçanikasve gjatë gjithë takimit dhe me meritë i fituan tri pikë të reja, në luftën e tyre për titull të kampionit.

Në fakt, Lepenci ka kaluar në avantazh prej 0:1 qysh në minutën e dytë të ndeshjes nëpërmjet Xhevdet Shabanit. Mirëpo, vetëm katër minuta më vonë, bardhekaltrit i barazuan shifrat në 1:1 me golin që e shënoi Azem Ahmeti.

Kurse, në minutën e 15-të, vendasit ia dolën të kalojnë për herë të parë në avantazh prej 2:1 nëpërmjet Faton Zejnullahut. Ndërsa, në kohën shtesë të pjesës së parë, Astrit Fazliu shtoi epërsinë e kryeqytetasve në 3:1.

Me këtë rezultat edhe ka përfunduar ky takim, sepse gjatë pjesës së dytë ekipet nuk e shënuan ndonjë gol tjetër, edhe pse vendasit i lëshuan disa raste tepër të mira.

Me këtë fitore, bardhekaltrit janë ngjitur në kuotën e 29 pikëve, duke u rikthyer kështu në krye të renditjes tabelore me një pikë më shumë se Drita, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Kurse, Lepenci mbetet në kuotën e 16 pikëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›