Vllaznia nxjerr jashtë garës Teutën e Starovës
Ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë përcaktuan tetë ekipet çerekfinaliste të edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë. Ekipet e kualifikuara: në Grupin A, Dinamo, Besa, Shkumbini, Vllaznia; në Grupin B: Partizani, Elbasani, Tirana, Flamurtari. Takimet e para çerekfinale do të luhen më 29 shkurt 2009, ndërsa ato të kthimit më 11 mars 2009. Talenti 21-vjeçar Ndriçim Shtubina realizoi një gol të përkryer në minutën e 16-të. Tri minuta më pas, ishte korçari Paulin Dhëmbi, i cili shfrytëzoi harkimin nga një goditje këndi, duke dyfishuar shifrat për Vllazninë. Në minutën e 34-t, Teuta shkurtoi diferencën falë një goli të zgjuar të Vilës, i cili shfrytëzoi mosmavarrëveshjen e portierit të Vllaznisë, Armir Grima me Amarildo Belishën. Gëzimi i durrsakëve zgjati vetëm një minutë, pasi blerja verore e presidentit Valter Fushaj, realizoi në minutën e 35-të me një silurë nga 20 metra, që i solli edhe kualifikimin Vllaznisë. Partizani i Kupës së Shqipërisë është një tjetër histori. Edhe pse është përballur me skuadra relativisht të lehta, Tepelenën e Kategorisë së Dytë (fitoi 5-1) dhe Burrelin e Kategorisë së Parë (fitoi 1-0 e 5-0), skuadra e kuqe ndryshe nga kampionati ku ka sulmin më të varfër, vetëm 9 gola në 15 javë, në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm ka shënuar 16 gola në tre ndeshje. Rekordmenët e Kupës së Shqipërisë zhvilluan një test kontrolli me Burrelin në kompleksin e ekipeve kombëtare, duke shënuar plot pesë gola me pesë autorë të ndryshëm. Në çerekfinale, Partizani (merr pjesë për herë të 44-t) do të përballet me Flamurtarin, 2-herë fitues i Kupës së Shqipërisë. Dinamo nuk e pati aspak të vështirë të “zbërthente” parë e mbrapsht Skënderbeun (4-0), që u paraqit në sfidën e zhvilluar në “Skëndër Halili” me një formacion të dorës së dytë. Mesfushori fierak i 13-herë kampionëve, Artion Poçi, realizoi nga pika e bardhë në minutën e 18-të, ndërkohë që senegalezi gjigant Pape Diop dyfishoi me kokë gjashtë minuta më pas, pas harkimi të Ferraj nga një goditje këndi. Sebino Plaku realizoi golin e tretë për Dinamon në minutën e 56-të, ndërsa lushnjari Fatjon Sefa vulosi rezultatin 4-0 në minutën e 74-t, duke mbyllur edhe hesapet me kryesuesit e Kategorisë së Parë, të cilët kishin fituar takimin e parë 1-0.