E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ngjitet në vendin e 81-të

 

Shqipëria i hipi “ashensorit”, duke u ngjitur pesë vende në renditjen botërore të FIFA-s për muajin dhjetor, duke qenë tashmë në vendin e 81-të, nga i 86-ti që renditej në muajin nëntor. Barazimi 1-1 me Azerbajxhanin në Baku i dha një bonus 14 pikësh përfaqësueses sonë, dhe tashmë është në kuotën e 424 pikëve.
Duke parë renditjet gjatë 12 muajve të vitit 2008, vendi i 81-të i arritur në dhjetor është një vend larg, dy muajve më të mirë të këtij viti, janarit (vendi i 80-të) dhe qershorit (po në vendin e 80-të). Në muajin shkurt 2008 Shqipëria ka pasur dhe renditjen më të mirë, vendin e 73-të.
Edhe në renditjen specifike evropiane, Shqipëria ka bërë përpara me +3 “hapa”, tashmë jemi në vendin e 36-të nga vendi i 39-të, duke lënë pas plot 17 vende nga 53 federata që aderojnë në UEFA.
Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, Portugalia ka humbur një vend, e 11-ta në FIFA, Suedia (-3 vende, e 32-ta në FIFA) dhe Danimarka (-3 vende, e 37-a në FIFA). Hungaria ka bërë dhe “kërcimin” më të madh me + 9 vende (e 47-a në FIFA). Edhe Malta kundërshtari ynë i radhës në ndeshjen zyrtare të 11 shkurtit ka ngjitur 3 vende, tani e 147-a në FIFA dhe e 49-të në renditjen e UEFA-s.
Renditja botërore dhe ajo evropiane kryesohet nga Spanja (1663 pikë), Gjermania (1381 pikë) e Holanda (1338 pikë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›