Haxhinasto: LSI do garojë e vetme në zgjedhjet e nëntorit
Lëvizja Socialiste për Integrim do të garojë me kandidatët e saj në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, konfirmoi dje vendimin e kësaj partie, duke sqaruar se ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës për Integrimin Europian. Haxhinasto komentoi bojkotin e zgjedhjeve nga ana e PS-së, duke konstatuar se vendimi i LSI-së për të dalë e vetme erdhi si rezultat i qëndrimit të socialistëve. "Natyrisht ky vendim i LSI-së nuk do të ishte marrë nëse lidershipi i Partisë Socialiste do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit në 28 qershor; nëse axhenda personale e lidershipit të saj nuk do të përdorej për të shkatërruar funksionimin normal të sistemit tonë demokratik", deklaroi Haxhinasto. Sipas tij, me këtë qëndrim, lidershipi aktual i PS-së po tregon se nuk e lejon të marrë pjesë në zgjedhje edhe frika e historikut të gjatë të humbjeve të 28 qershorit, por edhe atyre të Ballagatit, duke shtuar edhe humbjen në zgjedhjet e 15 nëntorit.