E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vetëm transparenca e zgjidh krizën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, këmbënguli dje se hapja e kutive të votimit në zgjedhjet e 28 qershorit është e vetmja mundësi e kthimit të opozitës në Parlament. Një ditë pasi "trojka" europiane kërkoi zgjidhje nga të dyja palët, Rama u shpreh se e vetmja zgjidhje mbetet ajo e hapjes së kutive, çka, sipas tij, do ta kthente situatën në normalitet, duke bërë që Parlamenti të funksionojë më mirë. Deri atëherë, Rama premton se do të vazhdojë me protestat. "Ne do të vazhdojmë të theksojmë gatishmërinë tonë për të hyrë në Parlament me t‘u krijuar kushtet për hetimin e pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve dhe ndërkohë do të vijojmë rrugën e protestave qytetare në Berat këtë të premte, e më tej në qytete të tjera, duke zgjeruar valën e tyre në çdo rrugë të Shqipërisë", deklaroi Rama. Më tej, kryesocialisti vlerësoi se shurdhëria e pushtetit ndaj kërkesave elementare për një vend demokratik, është rruga më e mbrapshtë për vetë pushtetin. "Ne nuk ndalemi, nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi", deklaroi Rama. Ndaj, ai i bëri apel Kryeministrit Berisha që të vendosë interesat e vendit mbi interesat e pushtetit të familjes së tij, të vendosë interesin kombëtar të transparencës së zgjedhjeve mbi oreksin familjar për përfitime të pallogaritshme përmes pushtetit, të vendosë domosdoshmërinë e Shqipërisë për një Parlament legjitim mbi nevojën e shtëpisë për të pasur një qeveri të tërë në shërbim. Ndërkohë, Rama bëri të ditur se Partia Socialiste shumë shpejt do të arrijë të marrë 50 mijë firma qytetarësh në mbështetje të nismës ligjore për hapjen e kutive që do t‘i paraqitet Parlamentit. Duke u ndalur pikërisht te performanca e Parlamentit, Rama tha se ai ka dështuar në bërjen e reformave, jo vetëm për shkak të ilegjitimitetit të tij, por edhe sepse është vënë në funksion të interesave të pushtetit. "Ky Parlament pa legjitimitet, që mbahet hapur si shkollë nate vetëm falë një pazari interesash familjare e klanore, nuk mund të përballojë asnjë sfidë në këtë kohë kur vendit i duhen hapa të guximshëm politikë e ligjorë për të dalë nga bataku i krizës së demokracisë, i krizës së shtetit të së drejtës dhe i krizës së ekonomisë që po thellohen dita-ditës", deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›