E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: LSI-ja drejt zgjedhjeve me program thellësisht social

>Programi i LSI- së organizohet rreth tre shtyllave kryesore si punësimi, lufta kundër varfërisë si dhe garantimi i jetës së qytetarit

Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare në vend, Lëvizja Socialiste për Integrim prezanton draftin e programit të saj politik për zgjedhjet e vitit 2009. Në një deklaratë për shtyp, kryetari i KDK- së LSI, Edmond Haxhinasto, shprehet se LSI-ja  ka përfunduar tashmë draftin e programit të saj për zgjedhjet e vitit 2009, i cili është konkludimi i një procesi të gjatë me angazhimin e strukturave të LSI-së, të specialistëve më të mirë  si dhe të vetë qytetarëve. Propozimi ynë për qytetarët shqiptarë është një model thellësisht social në zhvillimit e vendit, me qëllim që rritja ekonomike e vendit të ketë efekte të menjëhershme tek cilësia e jetës së qytetareve, sidomos tek shtresat më në nevojë, -shprehet me tej ai. Programi i LSI-së organizohet rreth tre shtyllave kryesore si punësimi, lufta kundër varfërisë si dhe garantimi i jetës së qytetarit.
Punësimi sipas Haxhinastos
Sipas Haxhinastos Punësimi do të mbetet objektivi më madhor i programit të LSI-së, me qëllim  punësimin e plotë të shqiptarëve brenda mandatit të ardhshëm. Gjithashtu,- vijon më tej ai,- ne do të propozojmë paketën e bonusit jetik, një paketë parash  kesh, incentivash fiskale, dhe politikash të tjera për të mbushur hendekun e madh që ekziston midis nivelit më të ulët të të ardhurave dhe minimumit jetik. Programi i LSI- së do ti përmbahet   tërësisht   politikave dhe masave për  të rritur sigurinë e jetës së qytetarëve, në kushtet kur jeta e tyre është krejt e pasigurt. Këtu përfshihen gjithë masat dhe politikat që rrisin sigurinë e jetës së qytetarëve, duke filluar me shëndetin, sigurinë ushqimore, mjedisin, dhe sigurinë fizike. Për arritjen e këtyre tre objektivave madhorë, ne kemi zgjedhur një përqasje origjinale duke u përqendruar në riparimin dhe eliminimin e barrierave dhe pengesave ku  qeveria aktuale  ka dështuar siç janë zbatueshmëria e ligjit dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë,  deklaron më tej Haxhinasto. Gjithashtu, energjia, bujqësia dhe turizmi do të jenë sektorët prioritarë që do të garantojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e prodhimit vendas. Programi i LSI-së për zgjedhjet e vitit 2009 do të paraqitet në një cikël konferencash e takimesh që do të organizohen  në ditët në vazhdim. Janë rreth 30 takime që kanë të bëjnë me paraqitjen e propozimeve konkrete për çdo sektor, duke  filluar  me konferencën kombëtare për Bujqësinë, në datën 27 janar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›