E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto e Hoxhaj: Veprimet ekstremiste, të papranueshme

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i konsideroi veprime ekstreme, aksionet e paralajmëruara.

“Nuk mbështesim veprimet ekstremiste siç janë bllokimi i rrugëve apo pikave kufitare, këto veprime nuk janë pjesë e marrëveshjeve të dialogut”, tha Haxhinasto në konferencën për shtyp me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.

Ky i fundit, deklaroi se çdo akt dhune është i papranueshëm. “Çdo sjellje e dhunshme dhe çdo akt, që është kundër ligjeve dhe Kushtetutës për ne si qeveri e Kosovës është i papranueshëm dhe nuk është një qasje evropiane. Duhet të sillemi në mënyrë dinjitoze, si një shtet evropian dhe demokratik.  Akte te tilla për qeverinë e Kosovës janë të papranueshme dhe ne në çdo formë jemi kundër bllokimit në mënyra të pa imagjinuara të pikave kufitare me Serbinë”, deklaroi Hoxhaj.

Gjithashtu, Haxhinasto, u shpreh se është diskutuar edhe për një sërë çështjesh të tjera, si ngritja e një komisioni të përbashkët për zhvillimin ekonomik, etj. “Ne diskutuam për problemet politike, jemi pro integrimit të komuniteteve në Kosovë. Kemi rënë dakord të mbledhim një komision të përbashkët ekonomik. Zhvillimet politike atje i shohim me vëmendje, mbështesim Kosovën për dialogun, pritshmëria jonë është që të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun teknik”, tha Haxhinasto.

Ai shtoi se e vetmja zgjidhe për veriun e vendit është zbatimi i planit të Ahtisarit. “Për Kosovën plani i Ahtisarit është e vetmja alternativë që duhet zbatuar në veri”, shtoi. “Falënderoj zv/kryeministrin Haxhinasto për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Integrimi evropian është thelbësor për të dyja vendet. Përgëzoj suksesin që ka arritur Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave. Kosova pret që brenda këtij viti të ketë rezultate në këtë drejtim”, tha Hoxhaj. /Start/

                                                                                             2012-01-13 11:23
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›