E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto në Shkup: Zbardhni incidentet kundër shqiptarëve

Haxhinasto dhe Popovski, dje në Shkup

Ministri i Jashtëm, vizitë zyrtare në Maqedoni gjatë tensioneve etnike.

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar nga zyrtarët në Maqedoni që të zbardhen plotësisht incidentet e fundit etnike dhe të dënohen përgjegjësit e tyre. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Shkup, ku ka kërkuar hetim të plotë për të gjitha incidentet etnike, përfshirë rastin e paprecedentë të rrahjes së nxënësve shqiptarë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij, Nikolla Popovski, Haxhinasto tha: Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit në trajtimin e këtyre ngjarjeve. Diplomati shqiptar ka dënuar aktet e djegieve të të dy flamurëve kombëtarë, atë maqedonas në qytetin e Burrelit dhe djegien e flamurit shqiptar në Maqedoni, të regjistruar e të transmetuar nëpërmjet një videoje. Ministri i Jashtëm shqiptar shtoi se këto incidente nuk i cenojnë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Kam parë edhe incidente në të cilat është djegur flamuri shqiptar. Incidente të tilla nuk duhet të ndodhin, pasi simbolet kombëtare janë të shenjta për çdo komb, për çdo qytetar. Por ne sot konstatuam se këto incidente nuk i prishin raportet tona të shkëlqyeshme. Do të përsëris edhe një herë, se është shumë me rëndësi që institucionet të veprojnë sipas ligjit, theksoi Haxhinasto. Vizita e tij po ndodh në një kohë tensionesh të larta mes etnisë shqiptare dhe asaj maqedonase në shumë qytete të Maqedonisë. Provokimet e vazhdueshme të maqedonasve për fenë myslimane dhe kombësinë shqiptare, vrasja e dy të rinjve nga një polic maqedonas, vrasja e një biznesmeni shqiptar në qendër të Shkupit, rrahja brutale e nxënësve shqiptarë në një autobus linje, kanë detyruar shqiptarët të reagojnë me protesta dhe sulme sporadike ndaj maqedonasve.

Parullat
Muret dhe tabela të ndryshme orientimi në rrugët e Ohrit, Maqedoni, janë veshur me parulla urrejtjeje dhe kërcënimi ndaj shqiptarëve, të cilat të krijojnë frymën e një lufte. Kalimtarët e bulevardit të Ohrit përballen çdo ditë me parulla provokuese, fyese e luftarake ndaj etnisë shqiptare si ajo O vdekje, o liri. Incidentet e dhunshme po zhvillohen kryesisht mes të rinjve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›