Zgjedhjet serbe në Kosovë, reagime e kërcënime

Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një letër dërguar aleatëve dhe vendeve të Kuintit, ka kërkuar që të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, pasi kështu do të rrezikonin bisedimet me Serbinë dhe anulimin e rezultateve të arritura deri tani në to. Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj ose përfaqësuesit e tij, që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh, kudo qoftë në Republikën e Kosovës, theksoi Jahjaga. Ndërsa Komisioneri Europian për Zgjerim, Stefan Fyle, tha se zgjedhjet lokale në Kosovës duhet ti organizojë Prishtina, ndërsa ato në Serbi, Beogradi. Të mos i ngatërrojmë më këto, kjo nuk është në frymën e aspiratës ndaj BE-së. Reagimi erdhi pas vendimit të kryetares së Kuvendit serb për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të 6 majit edhe në Kosovë, dhe pas deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, se mbajtja e tyre nuk vihet në diskutim. Ndërkohë, deklaratat e Kryeministrit Hashim Thaçi se pretendimet serbe për Veriun e Kosovës do të çonin në hapjen e kufijve dhe bashkimit të shqiptarëve në një shtet, dhe se do të përdorë çdo mjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, sekretari në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, i cilësoi të rrezikshme. Policia e Kosovës ka nisur përgatitjen e një plani operativ për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.