E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto vlereson rolin e Kongresit te KiE-se

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i cili do të zhvillojë konsultime me përfaqësues të Qeverisë shqiptare, anëtarë të parlamentit, kryetarë të bashkive e shoqatave të autoriteteve lokale, si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar për studimin e mundësive për fuqizimin e dialogut dhe bashkëpunimit të përfaqësuesve të zgjedhur vendorë në krijimin e një platforme të unifikuar dhe pluraliste për dialog dhe veprim.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e Kongresit të KiE-së, si institucioni mё pёrfaqёsues i autoriteteve vendore, i cili ka dhёnё dhe vazhdon tё japё njё kontribut mjaft tё vlefshёm, nё drejtim tё respektimit tё qeverisjes vendore nё vendin tonё.
Përfaqësuesit e Kongresit shprehën gatishmërinë për të asistuar autoritetet tona në drejtim të krijimit të një procesi gjithëpërfshirës në nivel vendor, i cili të garantojë besimin në bashkëpunimin e të gjithë aktorëve lokalë, si dhe krijimin e një kulture të re të administratës lokale.

Ministri Haxhinasto siguroi delegacionin e Kongresit se Shqipëria do të vijojë të bashkëpunojë intensivisht me këtë organ të Këshillit të Evropës edhe në kuadër të marrjes së Presidencës së Komitetit të Ministrave të KiE-së, gjatë së cilës tematika e forcimit të demokracisë në nivel lokal dhe rajonal do të jetë dhe pjesë e prioriteteve të kryesisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›