Haxhinsto-Mcllwham: Të rritet bashkëpunimi ekonomik

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka kërkuar nga Britania e Madhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Në një takim lamtumire me ambasadoren britanike Fiona Mcllwham vlerësoi gjithashtu mbështetjen britanike në procesin e integrimit evropian dhe theksoi se reformat, veçanërisht ajo zgjedhore, duhet të vazhdojnë pa u kushtëzuar nga objektiva të tjera politike të ndonjë partie.
Ministri Haxhinasto theksoi gjithashtu se lehtësimi i regjimit të vizave mes dy vendeve do të ndihmonte për rritjen e shkëmbimeve në fusha të ndryshme.
Ambasadorja Mcllwham vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor paqe e stabiliteti në rajon. Bashkëbiseduesit u shprehën se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e fundit e arritur për përfaqësimin rajonal, forcon sovranitetin e Kosovës dhe i shërben interesave të qytetarëve të dy vendeve si dhe perspektivës evropiane të tyre.