WikiLeaks nis publikimin e 5 milion mesazheve sekrete, Carl Bild: Nuk më pëlqejnë kroatët dhe shqiptarët
WikiLeaks këtë të hënë ka nisur publikimin e më shumë se 5 milion mesazheve elektronike të shkruara nga apo në drejtimit të kompanisë së inteligjencës amerikane Stratfor. Bëhet fjalë për maile të shkruara nga muaji korrik i 2004 deri në dhjetorin e vitit të kaluar.
Pjesë e mesazheve konfidenciale janë qindra të tillë të shkruar nga diplomatë dhe agjentë amerikanë. Në dhjetor kompania amerikane Stratfort u sulmua nga grupi i hakerave të njohur me emrin Anonymous.
Në këto maile jepen informacione sekrete lidhur me liderët dhe politikanët botërorë. Mes maileve, është edhe një që tregon për pikëpamjet e ministrit të Jashtëm të Suedisë, Carl Bild.
Ai besohet të jetë shprehur se Suedia mund të bëhet një super-fuqi botërore dhe ka quajtur Kryeministrin e Rusisë Vladimir Putin Chetnik (organizatë paramilitare në Serbi).
Gjithashtu, sipas një deputeti suedez besohet që Bild të ketë thënë se nuk i pëlqejnë kroatët dhe shqiptarët.
Zëdhënësja e ministrit suedez Anna Charlottar Johansson ka reaguar menjëherë duke i quajtur këtë informacione si thashetheme.
Vetë ministri ka reaguar pas publikimit të mailit nga Wikileaks me anë të profilit të tij në Tuiter. WikiLeaks ka publikuar maile të paqarta ku thuhet se jam shumë i gjatë, memorie fotografike (të mirë) dhe shumë i zgjuar. A nuk duket kjo paksa qesharake?, ka shkruar Bild në Tuiter.
Tabloidi suedez Expressen disa ditë më parë ka raportuar se WikiLeaks po planifikonte një fushatë njollosëse kundër Suedisë në përpjekje për të penguar këtë vend që të mos pranojë ekstradimin e themeluesit të saj Julian Assange për në SHBA. /F.Stafa/