Shkurtime masive në hekurudhë
Hekurudha shqiptare në kolaps. Kanë nisur pushimet masive të punonjësve nga puna. Rreth 225 punonjës do të ndërpresin punën me 1 mars, ndërsa rreth 200 të tjerë pritet që të pushohen nga puna në muajin maj. Krahas këtyre shkurtimeve drastike do të fillojë pagesa me 50 % në disa sektorë të saj.
Kreu i Sindikatës së Përgjithshme të Hekurudhës, Osman Meta, në mbledhjen e përgjithshme të Këshillit Sindikalist të ditës së sotme ka deklaruar se për këto pushime duke u nisur nga gjendja e rëndë e sektorit hekurudhor kanë rënë dakord që të bëhen, por ata nuk janë dakord që këto shkurtime të bëhen sipas nenit 148 për shkurtime masive, por sipas nenit që i asiston ata dhe që u njeh vjetërsinë e punës.
Meta ka akuzuar shtetin për papërgjegjshmëri pasi investimet e Bankës Botërore të vitit 2009 kanë shkuar dëm. Ndërkohë që vjedhjet në hekurudhë janë masive dhe shteti nuk merr masa për të ndëshkuar fajtoret. Vjedhësit që shkulin aksesorë të rëndesishëm të hekurudhës i trajton si vjedhje të thjeshta, ndërkohë që ata janë sabotime që mund të hedhin në erë trena.
Ai ka deklaruar se tanimë sektorë të shumtë të kësaj hekurudhe kanë dalë jashtë funksionit si linjat Fier-Ballsh, Fabrika e Çimentos -Fushë Krujë si dhe Shkodër – Bajzë dhe thotë se për të rigjeneruar këtë sektor duhen masa të forta organizative duke bërë që të investohen të paktën rreth 35 mijë traversa hekurudhore.
Shkurtimet i konfirmon edhe Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhës, Zamai Ramadani, i cili thotë se këto shkurtime po bëhen në kuadër të rikonstruktimit të këtij sektori dhe se të gjtha shkurtimet do të bëhen sipas kodit të punës. / Mark Brunga