Haxhiu braktis ekipin për pushime në Antalia
Mendoni pak çfarë do t'i kishte ndodhur Karlo Ançelotit te Çelsi, Zhoze Murinjos tek Interi, ose Leonardos te Milani, në rast se në kulm të fazës përgatitore do të linte stërvitjen në mes dhe do të ikte për ca ditë pushime. Super-gjoba do të ishte më e pakta që do t'u pritej nga presidentët e klubeve respektive. Tjetër gjë këtu te ne, ose më mirë te Skënderbeu i Korçës. Në momentin kur ekipi është ndoshta në periudhën më të keqe, pasi lojtarët shkojnë e vijnë dhe e ardhmja duket shumë e zymtë, trajneri i sapoemëruar nga presidenca, Gert Haxhia, kërkon 5 ditë leje për të kaluar pushimet në një nga hotelet më luksozë të Antalias në Turqi. Për korrektësi, trajneri është rikthyer dje në krye të skuadrës dhe i është përveshur punës për të përgatitur skuadrën e tij në prag të sezonit të ri futbollistik. Seanca e radhës është zhvilluar në fshatin Rëmbec rreth 15 kilometra larg qytetit të Korçës, ku drejtuesit teknikë kanë preferuar ta mbajnë larg ekipin jo vetëm nga kureshtia e tifozerisë, por edhe nga vapa përvëluese.