Haxhiymeri: Rama dështoi me strategjinë e tij, të zbatojë statutin
Sekretarja për shanset e barabarta dhe shoqërisë civile në PS shprehet se humbja e Politikës së re në zgjedhjet e 28 qershorit ka nevojë për një analizë të hollësishme në strukturat e partisë, pas shpalljes së rezultatit zyrtar. Sipas saj, gabimet në trajtimin e programit qeverisës dhe lënia në hije e kandidatëve ndikuan negativisht në elektorat.
Zonja Haxhiymeri, cilat ishin pikat e dobëta të fushatës që çuan PS në humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit?
Mënyra se si u prezantuar programi i PS, i cili për hir të së vërtetës nuk pati pika të forta goditëse, nuk bëri ndryshim nga programet e partive të tjera, madje pati parti të majta të tjera që prezantuan më fuqishëm disa nga elementët bazë të programeve të tyre. Gjithashtu pati një personalizim të tejskajshëm të fushatës, e cila la një shije pasigurie, paqartësie, pse jo, krijoi dhe një lloj shtangie, frike në elektoratin e majtë, pasi disa nga figurat, kandidatë për deputetë, nuk ishin shumë të njohura dhe nuk u prezantuan në elektorat për të krijuar besimin e duhur. Po ta krahasosh me grupimin e djathtë, atje u punua shumë me ekipin. Pati prezantim pas prezantimi, me emra të përveçëm, me CV e tyre çka e realizoi lidhjen e tyre me elektoratin.
Risia e PS-së në këtë fushatë, ishin dhe tezat e njohura tashmë të kryetarit Rama për një bashkim përtej të majtës dhe të djathtës. Dha rezultat, sipas jush, kjo filozofi?
Lidershipi i Partisë socialiste nuk mori votat e elektoratit të pavendosur, sepse mesazhi “përtej të majtës dhe të djathtës”, mbeti i paqartë dhe nuk arriti të zbresë deri te votuesit.
Ideja e përtej të majtës dhe te djathtës, mbeti shumë flu, mbeti në ajër, nuk shkoi dot te grupet konkrete të interesit. Madje pati dhe një paradoks. Partia Socialiste u votua në shumicë nga moshat e pjekura, mbi 50 vjeç. Kjo tregon se pjesa e të rinjve, pjesën e atyre që shprehin një mentalitet tjetër, të cilëve u adresohej kjo filozofi, ne nuk e thithëm dot. Pra kjo strategji dështoi.
Tashmë ndodhemi në një realitet konkret, që është rezultati humbës i këtyre zgjedhjeve dhe ende nuk kemi dorëheqjen e kryetarit socialist nga posti që mban. Si e komentoni këtë sjellje?
Nuk jemi në momentin që mund të shprehemi për çështjen e dorëheqjes, por mendoj se statuti i PS shprehet qartë për këtë rast.
Ju jeni sekretarja socialiste për shanset e barabarta dhe nuk u përfshitë në listat e PS-së në këto zgjedhje. Ku e gjeni veten pas këtyre zgjedhjeve?
Unë mbetem pjesë e Partisë Socialiste. Natyrisht, lidershipi është i përkohshëm, partia është atje, strukturat janë atje, ajo është pasuri kombëtare dhe besoj se edhe unë do ta kem hapësirën e nevojshme.