E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret përzgjedhëse për administratorët dhe stafet e bankave të huaja në vend

Procedura e miratimit paraprak për administratorin shtetas të huaj, në dy faza

Ervin KOÇI

Të gjitha bankat e nivelit të dytë me kapitale të huaja ose degë të bankave të huaja, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, do të kenë të përcaktuar edhe se kush do t’i drejtojë. Me anë të një rregulloreje të posaçme, përgatitur nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë në bazë të legjislacionit europian, do të përcaktohen kushtet dhe kriteret pranuese për administratorët (drejtorët e përgjithshëm) dhe stafet drejtuese të bankave private. Kjo rregullore që në pamje të parë duket sikur ua fut “këmbët në një këpucë” administratorëve dhe stafeve drejtuese të bankave private me kapitale të huaja në vendin tonë, në fakt vetëm sa synon një stabilitet të aktivitetit të biznesit bankar në vendin tonë. Rregullorja e re synon të stabilizojë veprimtarinë e stafeve drejtuese të bankave private në vendin tonë, si dhe ka të përcaktuar në detaje mënyrën se si duhet të përzgjidhet një administrator i përgjithshëm i një banke të nivelit të dytë, filial i një banke të huaj, dokumentet dhe normat që duhet të plotësojë ky shtetas i huaj, si dhe mënyrat e përzgjedhjes së stafit të bashkëpunëtorëve të tij që do të merren me drejtimin e aktivitet të bankës. BSH-ja e ka miratuar tashmë rregulloren e re “Për miratimin e administratorëve të bankave dhe degëve e bankave të huaja”, ku në bazë të saj, këto subjekte duhet të ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me licencën e lëshuar nga vet Autoriteti Qendror (BSH-ja). Sipas rregullores, procedura e miratimit paraprak për administratorin shtetas të huaj kryhet në dy faza dhe përmbledh dhe kriteret si dhe dokumentacionin që duhet të ketë individi që do të ushtrojë në një bankë të huaj këtë detyrë.

Dokumentacioni për shefin

Në bazë të rregullores, subjekti paraqet një kërkesë me shkrim pranë BSH-së për marrjen e miratimit paraprak për administratorin përkatës. Dokumentet duhet të shoqërohen me formularët përkatës dhe janë: 1) vendimi i organit kompetent me propozimin për emërimin e administratorit përkatës, 2) dokumenti i identifikimit, 3) diploma e arsimit të lartë, 4) dokumentet që vërtetojnë kualifikime të tjera të administratorit të propozuar (certifikata kualifikuese), 5) të dhëna të detajuara për veprimtarinë tregtare dhe për bizneset e tij për 5 (pesë) vitet e fundit, 6) dokumente detajuese për informacionin për pjesëmarrjet influencuese, 7) një rekomandim lidhur me aftësinë profesionale të lëshuar nga eprorët në bankën mëmë, punëdhënës të mëparshëm apo akademikë, 8) një përshkrim të detajuar të punës për pozicionin që do të mbajë administratori i propozuar, 9) deklaratë personale në lidhje me shlyerjen e të gjitha detyrimeve tatimore, 10) deklarata personale e administratorit të propozuar. “Në rastin kur individi i propozuar për administrator është një shtetas i huaj, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 2 të këtij neni, subjekti paraqet në Bankën e Shqipërisë dhe lejen e tij të qëndrimit dhe të punës, në bazë dhe për zbatim të ligjit nr. 9959, datë 17.7.2008 ‘Për të huajt’”, - thekson rregullorja. Për administratorin shtetas i huaj, vërtetimet do të paraqiten të lëshuara dhe nga organet kompetente të vendit të tij. Dokumentacioni paraqitet në gjuhën shqipe, në origjinal ose në kopje të noterizuar. Në rastin e dokumentacionit të lëshuar nga autoritetet zyrtare përkatëse të shteteve të huaja, ai legalizohet nga autoritetet përgjegjëse. Ai dorëzohet në Bankën e Shqipërisë me zarf të mbyllur ose dërgohet me postë të regjistruar.

Dokumentacioni për ndihmësit

Për administratorët e propozuar si anëtarë të këshillit drejtues dhe njëkohësisht bashkëpunëtorë të administratorit gjeneral, rregullorja e BSH-së kërkon këto dokumente: 1) deklaratë personale për interesat private, 2) vërtetime të lëshuara nga organet kompetente, a) se personi nuk është në ndjekje penale, b) personi nuk është në gjykim për vepra penale, c) personi nuk është i dënuar penalisht, ç) personi nuk ka detyrime pasurore të pashlyera. Dokumentet e lartpërmendura duhet të jenë lëshuar jo më herët se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Edhe në rastin e ndihmesave të administratorit gjeneral që janë shtetas të huaj, vërtetimet do të paraqiten të lëshuara nga organet kompetente të vendit nga vijnë. Dokumentacioni paraqitet në gjuhën shqipe, në origjinal ose në kopje të noterizuar. Në rastin e dokumentacionit të lëshuar nga autoritetet zyrtare përkatëse të shteteve të huaja, ai legalizohet nga autoritetet përgjegjëse. Ai dorëzohet në Bankën e Shqipërisë me zarf të mbyllur ose dërgohet me postë të regjistruar.

Miratimi i administratorëve

BSH-ja jep miratimin paraprak për emërimin e administratorit të propozuar, pasi vlerëson reputacionin dhe kualifikimet mbi bazën e dokumenteve të paraqitura, dokumenteve ose informacioneve të tjera që zotëron vet BSH-ja, gjetjeve (konkluzioneve, përfundimeve) të vetë bankës, kur çmohet e nevojshme dhe mbi bazën e një interviste të zhvilluar nga Autoriteti Qendror me administratorin e propozuar. Procedura e shqyrtimit të dokumentacionit lidhur me dhënien e miratimit paraprak për emërimin e administratorit shtetas të huaj do të kryhet në dy faza. Në fazën e parë, BSH-ja shpreh moskundërshtimin e saj për emërimin e administratorit shtetas të huaj kur, pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur, krijon bindjen se përmbushen kriteret e përcaktuara. Në fazën e dytë, BSH-ja jep miratimin paraprak për emërimin e administratorit shtetas të huaj, pas plotësimit të dokumentacionit.

Autonomia e administratorëve

Administratorët, brenda kompetencave të përcaktuara nga ligji, aktet nënligjore dhe organet drejtuese, vlerësojnë dhe marrin në mënyrë të pavarur dhe objektive, vendime lidhur me veprimtarinë e subjektit. Në zbatim të përcaktimeve të paragrafit 1 të këtij neni, administratori merr në konsideratë të gjithë informacionin e vlefshëm, të mjaftueshëm dhe të plotë, si dhe faktorë të tjerë përkatës që mund të ndikojnë në këto vendime. Nga ana e saj, drejtoria informon rregullisht Këshillin Drejtues të BSH-së, në mënyrë të plotë dhe në kohën e duhur, për çështjet e rëndësishme që lidhen me operacionet e bankës, sidomos për administrimin e rrezikut.

Paga dhe shpërblimet

Këshilli drejtues, në përputhje me strategjinë, objektivat afatgjatë të veprimtarisë së bankës dhe ecurinë e performancën e saj, miraton politikat dhe rregullat e shpërblimit të anëtarëve të drejtorisë. Paga, shpërblimi dhe kompensime të tjera të anëtarëve të drejtorisë së bankës përcaktohen nga këshilli drejtues. Për këtë qëllim, këshilli drejtues mund të asistohet nga një komitet i krijuar prej tij. Këshilli drejtues ose komiteti i krijuar për këtë qëllim prej tij, mbikëqyr shpërblimin e anëtarëve të drejtorisë, duke u siguruar që ky shpërblim është kryer sipas kërkesave të pikës 1 të këtij neni.

///////////////////////////
Rregullorja e re, kriteret sqaruese

- Hyrja në fuqi
Rregullorja e miratuar rishtazi do të hyjë në fuqi vetëm 15 ditë pas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare. Kjo rregullore do të shfuqizojë atë të dhjetorit të vitit 2003, “Për administratorët e bankave dhe të degëve të bankave të huaja”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr.120, e cila është ndryshuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr.69, datë 13.09.2006.

- Objekti
Rregullorja ka qëllim të përcaktojë parimet dhe rregullat bazë, si dhe kriteret që duhet të përmbushin administratorët e bankave dhe degëve të bankave të huaja, por edhe dokumentacionin e nevojshëm për miratimin nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu ajo përcakton kriteret për lidhjen e marrëveshjeve me të tretët për administrimin dhe drejtimin e bankës.

- Refuzimi
Banka e Shqipërisë refuzon miratimin paraprak për emërimin e administratorit të propozuar, kur mbi bazën e vlerësimeve të saj rezulton se administratori i propozuar nuk plotëson kushtet dhe kriteret e vendosura në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe në këtë rregullore. Banka e Shqipërisë në këtë rast jep me shkrim arsyet e këtij refuzimi.

Shkurt//////////////////////////////
Gazi i “Nabukos”, BE-ja drejt pavarësisë nga Rusia

Kryeministrat e Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe kancelari i Austrisë, nënshkruan marrëveshjen ndërqeveritare për këtë projekt. Tubacioni 3300 km planifikohet të bëhet funksional në vitin 2014 dhe duke marrë parasysh kapacitetin për pompimin e 31 miliardë m3 gazi nga Deti Kaspik nëpërmjet Turqisë në Austri dhe në Ballkan, duke anashkaluar Rusinë, vlerësohet se do të kushtojë 7,9 miliardë euro. Për shkak të rëndësisë së marrëveshjes, komisioneri i BE-së, Hose Manuel Baroso, emisari special i SHBA-së për energji në Euroazi, Riçard Morningstar, dhe Kryeministri i Irakut, Nuri Al Maliki, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. "Projekti ka rëndësi të madhe për sigurinë e energjisë së Europës dhe të Turqisë",- tha Baroso. Një e katërta e gazit natyror, i cili përdoret aktualisht në Europë, vjen nga Rusia. Projekti i “Nabukos” ka për qëllim të mënjanojë përsëritjen e reduktimeve që kishin ndalur furnizimin për Europën gjatë dimrit, gjë që kishte nxitur akuza ndaj Rusisë për përdorimin e gazit si armë politike. Dy banka europiane kanë konfirmuar deri më tani mbështetjen financiare, por analistët thonë se mund të kenë vështirësi në sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare për projektin, për shkak të krizës ekonomike globale. Korridori Jugor i Energjisë synon të nxjerrë në treg ndërkombëtar naftën që gjendet në Azinë Qendrore dhe që deri tani ka qenë larg tregut për shkak të mungesës së infrastrukturës së transportit. Gjatë dekadës së fundit, Perëndimi ka ndërtuar naftësjellës dhe linja hekurudhore përmes Gjeorgjisë dhe vendeve të tjera.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›