E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hebreu shëtitës i Kutelit

Rrëfimi “E madhe është gjëma e mëkatit”, shkruar nga Mitrush Kuteli në vitin 1947, kohë shumë e vështirë për atë vetë, shquhet si një prej krijimeve më përfaqësuese të tij. Në kontekstin e periudhës kur është shkruar, mund të themi pa mëdyshje se autori ka pasur vetëdijen e plotë që po nxirrte duarsh një tekst të destinuar për në sirtar.
Gjithsesi, s’mund ta dimë në e kishte parashikuar që lexuesi do ta kishte në duar aq vonë, vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh. Arrestimi i tij në vitin 1947 me motivacionin “armik i popullit”, u pasua me “humbjen” a zhdukjen, e veprës letrare që kishte në shtyp. Nga përmbledhja me tregime e novela “Dashuria e barbarit Artan”, u shtypën vetëm disa tregime dhe “humbi” tërë novela kryesore “Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea”, “humbi” gjysma e novelës tjetër “Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi”, “humbi” një roman që u kushtohej të burgosurve të kampit të Prishtinës, së bashku me dramën “Ura”, me motive nga legjenda e murimit. Falë një rastësie fatlume shpëtoi “E madhe është gjëma e mëkatit”.
Si një tekst specifik, qoftë në nivelin formal, qoftë në nivelin semantik, “E madhe është gjëma e mëkatit”, shtron për zgjidhje një varg çështjesh. Ky rrëfim është trajtuar posaçërisht pothuaj nga pjesa më e madhe e studiuesve të veprës së Kutelit, të cilët kanë nxjerrë përfundime të rëndësishme. Veç të tjerash, kritika ka evidentuar disa prej burimeve të shfrytëzuara nga autori për të plazmuar mjeshtërisht rrëfimin e tij, duke spikatur, me të drejtë, tekstet e shenjta të krishtera dhe krijimtarinë popullore. Me gjithë këtë traditë interpretative, mendojmë se është i mundshëm e madje i domosdoshëm, një hulumtim krahasues më i thelluar e më i detajuar, për të shquar analogji, pikëtakime, mes tekstit të autorit dhe burimeve, duke u nisur nga parimi se “çdo tekst është i shkruar në mënyrë të tillë që t’i lërë transparente shqiptimet e tjera dhe tekstet e tjera paraardhëse”.
Sipas një poshtëshënimi të Kutelit mësojmë se “E madhe është gjëma e mëkatit” është “punuar pas dy legjendash të dëgjuara në Pogradec”. Ndërkaq, prej lëndës narrative dhe ngjizjes specifike të tekstit, qasja për te burimet e shfrytëzuara nga autori detyron së pari ballafaqimin me shkrimet e shenjta, madje përpos shkrimeve biblike, me një lëndë më të gjerë mistiko-religjioze.
Ky rrëfim mund të cilësohet fare mirë si një vepër kushtuar tmerrit të jetës. Personazhi qendror i rrëfimit, Tat Tanushi, e çon jetën si një prift i përkushtuar në katundin Bubutimë, enoria e Apolonisë në viset e Ilirisë. Dy ishin gëzimet e jetës së Tatës, besimi i madh te shkronja e Ynëzotit dhe dashuria për Kalijen, që e kish sjellë nga Galilea, nga detet e larguara të Lindjes. Në orët kur nuk i shërbente Zotit ay zografiste shenjtorë me mjekra të bardha ose gdhendte në dru. Tata pëson një gjëmë tronditëse, sa iu duk se u shemb gjithë jeta dhe ranë kryqet e lartësirave. Kalija vdes pasi një sëmundje e ligë ia bloi jetën. Nga dhembja e madhe mjekra e flokët e tij u zbardhën krejt. Njëri gëzim i shuhet, duke nisur t’ia gërryejë edhe tjetrin, pse ay i mbante mëri Zotit për vdekjen e së shoqes. I dërrmuar nga dhimbja Tata nis e dyshon mbi të vërtetat e Shkronjës, që deri aty pari e kishte të shenjtë. Pastaj shkel në rrugën e gjerë të mëkatit, deri sa ardhi shembja e madhe: trupi i tij njohu trup gruaje. Si të mos mjaftonte, thyen kanunet e shenjta të Kishës dhe kërkon të meshojë, pa u pastruar në rrëfim. Dënimi nga Zoti është i pashembullt “Kurrë mos vdekç”. Urata zhvesh të shenjtat dhe del nga shtëpia e Zotit, për tu endur nëpër botë me mëkatin mbi shpinë pa mundur të çlirohet. Më kot rreket të gjejë vdekjen: binte në ujëra e s’mbytej, hynte në zjarr e s’digjej, shkonte nëpër luftëra e s’vritej.
Prehje s’mund të ketë. Më në fund pranon fatkobin dhe e duron jetën. Gjatë rrugëmit ndalet e qëndron për një kohë të gjatë në shpellat e Zaumit buzë liqerit të Ahridës. Dikur vjen në ato vise peshkop Nikanori, që dëgjon fjalë të mira për ashkëtin e shpellës dhe e thërret pranë vetes. Shumë net biseduan ata të dy dhe Tata i tregon gjithçka, dashurinë e egër për të shoqen, mërinë që i mbajti Zotit për vdekjen e saj, korat dhe të gdhendurat, dëshirat e mishit, shembjen e madhe. Imzot Nikanori ngre dorën dhe e bekon: “Të vëmë të sosësh meshën e filluar” dhe dalin të dy nga mugëtira e manastirit e marrin rrugën e liqerit. “Të thella e të pakuptuarshme janë punët e Zotit, por e pafuntme mëshira e tij”… Ecin nëpër shumë vende të egra gjersa Tata e dallon Bubutimën e kahershme në një pyll të madh pa gjurmë jete njeriu. Murishtat e kishës i gjejnë nën selvi. Të nesërmen Tata nxjerr meshën e madhe të Shën Joan Gojartit. Duke qëndruar drejt në altar Tat Tanushi i Bubutimës dëgjon një zë të rëndë që i thërret nga murishtat: “I falur qofsh!” Tata tretet ngadalë, në sytë e të gjithëve, duke mbetur vetëm një dorë hi në pragun e derës së shenjtë.
Në parathënien e botimit (Pak fjalë për një shkrim që thotë shumë), Kolevica e vlerëson si “një shkrim i rrallë” i thurur “nën vellon e tejdukshme të legjendës, nën dritën vezulluese të shkrimeve të shenjta, nën jehonën sensuale mikluese të “Këngës së Këngëve” të Solomonit dhe grishjes tunduese të Ekleziastit”. Po këtu, ai shquan motivin bazik që mbart teksti, dënimin e mëkatarit nga Zoti me mosvdekje, si një motiv që ka zënë vend prej kohësh në letërsi, duke sjellë si shembull rapsodinë Hebreu i përjetshëm të shkrimtarit Daniel Shubart. Mendojmë se ky argument, gjetje e mprehtë e Kolevicës, ka nevojë të shtjellohet gjerësisht, jo vetëm pse rreth tij strukturohet e gjithë lënda narrative, por pse bash aty përqendrohet semantika e tekstit.
Legjenda e hebreut shëtitës zanafillon nga një episod i jetës së Jezusit. Në ngjitjen e tij drejt Kalvarit ai ndalet një çast për të pirë ujë. Sipas legjendës, një hebre i thotë “Ik që këtu!”, ndërsa Jezusi i përgjigjet: “Unë po iki, por ty do të duhet të më presësh deri sa të kthehem”. Ky episod (i cili ka versione të ndryshme pak a shumë të ngjashme) u ruajt në traditën gojore për qindra vjet dhe vetëm në shekullin VII konservohet në trajtë të shkruar. Në rrjedhën e shekujve legjenda bëhet pjesë e trashëgimisë së dhjetëra vendeve evropiane dhe gjatë transmetimit pasurohet me shtojca dhe variante nga më të larmishmet. Në Itali mbart emrin Battadeus, ose Malchus; në një kronikë angleze të shekullit XIII emri i tij është Cartafilus; në variantin spanjoll është Juan Espera in Dios. Përmes rrëfimeve gojore përhapet në Armeni dhe Rusi. Në Gjermani, në fillim të shekullit XVIII lind figura e Ahasverus-it, të cilin autorët gjermanë do ta quajnë “Hebreu i përjetshëm”.
Poetë dhe shkrimtarë të mëdhenj si Gëte, Shelli, Kollrixhi, Shileri, më pas Anderseni dhe Poe, e trajtojnë këtë legjendë në veprën e tyre. Ishte romantizmi që e shndërroi figurën legjendare të hebreut shëtitës në një simbol: fillimisht simbol të rebelit kundër tiranisë, pastaj të gjindjes që vuan dhe të mëkatarit që kërkon çlirimin.
Ndonëse legjenda e hebreut shëtitës lidhet drejtpërdrejt me jetën e Jezusit, episodi prej nga ajo zë fill mungon në katër Ungjijtë kanonikë. Ndërkaq, emri Aussero, njëri nga variantet e emërtimit të personazhit në fjalë, gjendet në Dhiatën e Vjetër, në “Librin e Esterit”, si emërtim i mbretit të Persisë Kserksi I, që mbretëroi nga 486 deri në 464 para Krishtit. Me gjithë mungesën e episodit, në tekstet kanonike të krishtera gjenden pasazhe të cilat bashkëlidhen ngushtësisht me motivin qendror të legjendës, mosvdekjen: Ndërkaq shpërblimi, a ndëshkimi, me mosvdekje si vullnet suprem i Zotit haset në tekste të tjera të traditës mistike religjioze. E ndeshim, për shembull, në Ungjijtë gnostikë, veçanërisht në “Ungjillin sipas Thomait”: Në traditën ezoterike, magjike e alkimike mosvdekja shfaqet si një sfidë e vazhdueshme. Poseduesit e formulave okulte e mistike, nistarët (të iniciuarit), përmes ritualesh të fshehta, janë në gjendje të zgjasin jetën deri në mosvdekje. Sipas taoizmit, të tillë ishin praktikuesit e alkimisë së brendshme neidan, që falë mjeshtrive mistike mund ta zgjasnin jetën e tyre qindra vjet. Në Kinë, alkimia synonte transformimin e plumbit në ar të pijshëm, konsumimi i të cilit zgjat jetën deri në pavdekësi. Në tekstet e moçme egjiptiane lexojmë: “Kush e njeh librin e magjisë mund të dalë në dritë dhe të ecë në tokë mes të gjallëve. Nuk do vdesë kurrë. Kjo është provuar si frutdhënëse me miliona herë”. (Libri i daljes në dritë, kapitulli 68) Në Parzifali-in e Wolfram fon Eschenbach-ut Graal-i i shenjtë përshkruhet si një Gur, i cili, mes të tjerash, është në gjendje të frenojë plakjen.
Me sa duket, motivi i mosvdekjes, ku u gërshetoka si rrallëkund kundërshtia dhimbje/gëzim, mund të klasifikohet si motiv konstant në tekstet e tipit religjioz-mistik.
Duke u kthyer në temën e punimit tonë pohojmë në trajtën e një përfundimi se shfrytëzimi i legjendës së hebreut shëtitës si hipotekst nga ana e Kutelit ngjan krejt i mundur, të paktën për tre arsye: së pari, kemi të bëjmë me një tekst të përhapur gjerësisht dhe nuk ka shkas të dyshohet në njohjen e drejtpërdrejtë nga ana e autorit;
së dyti, thelbi i saj religjioz i shkon për shtat fare mirë rrëfimit që ai mëton ta endë “nën vellon e tejdukshme të legjendës dhe nën dritën vezulluese të shkrimeve të shenjta.” Legjenda e zgjedhur ka privilegjin e të qenit një simbiozë e veçantë e krijimtarisë popullore dhe traditës religjioze; së treti, legjenda në fjalë ka shërbyer si zanafillë tekstesh për shumë e shumë autorë në një shtrirje të gjatë kohore, ku Kuteli është njëri syresh.
Nga kërkimet tona të deritanishme nuk kemi mundur të gjejmë të dokumentuar ndonjë variant shqiptar të kësaj legjende, por shënimi i tij “punuar pas dy legjendash të dëgjuara në Pogradec”, është një provë e fortë për ekzistencën e varianteve të legjendës së hebreut shëtitës në letërsinë popullore shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›