“Shpëtimi në Shqipëri”, në xhiron kontinentale
“Shpëtimi në Shqipëri” i producentëve Dardan Islami dhe Alush Gashi, është dokumentari me të cilin Dita e Holokaustit do të shënohet në tri vende të ndryshme të botës. Tirana dhe Nju Jorku, është axhenda e këtij dokumentari që do të shohë ekranin më 28 janar, në Akademinë “Marubi”. Ndërsa në Uashington rrëfimi për shtatë të mbijetuarit e Holokaustit do të shfaqet premierë një ditë më vonë. Ky dokumentar është rezultat i hulumtimi dyvjeçar të Islamit dhe Gashit në Izrael, SHBA, Shqipëri e Kosovë. Në 30 minuta “Shpëtimi...” vë në pah gërshetimin e vuajtjes, frikës, përndjekjes e keqtrajtimit të të mbijetuarve të Holokaustit e deri në gjetjen e strehimit dhe mikpritjes në Shqipëri. Nga rrëfimet e personazheve të “Shpëtimi në Shqipëri” kuptohet se, përveç qytetarëve, ndihmesë në shpëtimin e hebrenjve kishin dhënë edhe krerët qeveritarë, ndër të cilët edhe Mbretëria e Ahmet Zogut.
Producenti i dokumentarit “Shpëtimi në Shqipëri”, Dardan Islami, ka thënë se Dita e Holokaustit është shumë e përshtatshme për të dhënë premierën e dokumentarit në Shqipëri dhe ShBA. Ai dhe kolegu i tij, Alush Gashi, do të jenë të pranishëm në dy shfaqjet e dokumentarit të tyre në SHBA. “E kemi pritur këtë ditë që ta japim premierën në Shqipëri, sepse e kemi parë të arsyeshme duke pasur parasysh që dihet qartë se Mbreti Zog ka pasur rol pozitiv në tregimin tonë”, - ka thënë Dardan Islami.
Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin që “Shpëtimi në Shqipëri” do të shfaqet para audiencës shqiptare dhe asaj amerikane për shkak të vetë mesazhit që bart dokumentari. Producenti tjetër i “Shpëtimi në Shqipëri”, Alush Gashi, duke u shprehur që vepra e tyre do të mirëpritet nga audienca shqiptare dhe ajo amerikane, ka thënë se dokumentari, para së gjithash, ka për qëllim të vërë në pah se sa ka ndihmuar populli shqiptar në shpëtimin e hebrenjve. “Në bazë të vlerësimeve pozitive që kemi marrë deri tani, shpresojmë se do të mirëpritet edhe në këto vende”, ka thënë Gashi, duke shtuar se gjatë këtij viti “Shpëtimi në Shqipëri” do të jepet edhe në Londër dhe Paris.
“Sakatizmi universal modern”
“Sakatizmi universal modern” është romani i ri i Pëllumb Mukës. Realitete sociale është tema që prek autori në këtë libër, duke na dhënë një pasqyrë se çfarë ngjet me psikologjinë shqiptare në ditët e sotme. Janë pështjellime të shpërfytyruara që ndërtojnë absurdin e jetës në roman. Kupola e tjetërsimit nga tradhtia e jetës, të sjellë rrënimin gradual deri në vdekje të vlerave altruiste në shekullin XXI. Por autori lë të shpresojë se do të ketë rilindje, dhe se njerëzimi nuk do t’i rezistojë më fatit për të përmbushur destinin e tij natyral për t’u vetëshkatërruar. Është një besim i autorit tek e vërteta që beson se do çojë njeriun në pushtime të reja të ekzistencës në tokë. “Në karrocën e dhimbjes së jetës, si një vorbull që mbështjell skandalitetin e së kundërtës... e shpresa lind...!”, ky mendim i autorit përmbyll gjithë dilemën e tij për shoqërinë e sotme shqiptare.