E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: PS, naive kur mendon se me protesta rrëzon qeverinë

Ish-kryetari i Parlamentit hedh kritika të ashpra ndaj Edi Ramës

Profesori i socialistëve, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, shpërtheu dje në kritika të ashpra ndaj liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama. I ftuar në një aktivitet të organizuar nga një universitet privat në Tiranë, Pëllumbi kritikoi Ramën për devijimin që ai i ka bërë idealeve dhe elektoratit të majtë, duke qenë larg kërkesave të elektoratit. Përpara mediave që po ndiqnin këtë aktivitet, Pëllumbi theksoi se PS-ja aktuale duket se po i përket gjithnjë e më shumë një grupi të vogël njerëzish, të cilët nuk kanë lidhje me shtresat që mbron nëpërmjet programit e majta. “Ajo që është e majtë duket sikur ka turp të thotë që është e majtë. Sepse PS nuk i referohet atyre shtresave, kategorive të njerëzve, që janë të majtë dhe kërkojnë një program të majtë, nga vetë gjendja e tyre social-ekonomike. Po të jetë se partinë e ke parti në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish dhe pa referencë në hapësirat sociale, atëherë ajo nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës”, deklaroi ish-kryetari socialist i Kuvendit, Servet Pëllumbi. Në argumentimin e tij në lidhje me ndryshimet që ka pësuar gjatë drejtimit të Edi Ramës, PS-ja, Pëllumbi del në konkluzionin se lidershipi i socialistëve nuk ka të drejtën t’i kërkojë elektoratit të majtë mbështetje në zgjedhjet e ardhshme lokale. “Po të jetë se u drejtohesh zgjedhësve, votuesve dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetvetiu mos kërko të të votojnë dhe mos kërko që pse nuk më mbështesni”, u shpreh Pëllumbi, i konsideruar edhe si profesori i socialistëve. Por në fjalën e tij, Pëllumbi nuk u ndal vetëm në aspektin programor të PS-së, por edhe në protestën masive që opozita ka vendosur të nisë në datën 30 prill, në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Ish-kryetari i Kuvendit thekson se sot është naivitet të mendosh se me zhvillimin e kësaj proteste, qeveria dhe korrupsioni në vend do të përfundojë. Pëllumbi u shpreh se PS duhet të hiqte dorë nga teoritë e mosbindjes civile, të cilat mund të gjenerojnë në dhunë, duke sjellë një situatë të pakëndshme për të gjithë. “Mosbindja qytetare para dy vjetësh në Francë brenda një nate dogji 20 mijë makina. Unë kam dëgjuar në televizion politikanë të së majtës, fatkeqësisht që thotë se më 30 prill merr fund qeveria, më 30 prill merr fund korrupsioni dhe mendoj se ky është naivitet”, konkludon profesori i socialistëve. Kjo është hera e parë që Servet Pëllumbi, një figurë e shquar e socialistëve, kritikon në mënyrë të hapur dhe të ashpër, lidershipin e PS-së. Por, nga ana tjetër, në partinë më të madhe të opozitës nuk kanë munguar dhe janë shfaqur prej kohësh disa zëra kundër, në lidhje me mënyrën sesi PS po drejtohet nga kryetari i saj, Edi Rama. Deputetët socialistë si Ben Blushi, Andis Harasani, Marko Bello, të mbledhur nën siglën e “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe”, kanë nisur kritikat ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të PS-së në qershor të vitit të kaluar. I ashpër në qëndrimet ndaj Ramës, përpara dhe pas zgjedhjeve të qershorit, ka qenë edhe ish- kryetari i PS-së, ish-kryeministri Fatos Nano. Por duket se kritikat e Pëllumbit, më shumë se për humbjen e zgjedhjeve nga socialistët, lidhen me Kongresin e fundit të PS-së, në të cilin u bënë disa ndryshime statusore, ku si shtresa që do të mbështeten nga socialistët, u konsideruan edhe ish-pronarët dhe ish të përndjekurit politikë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›