Meta: Procesi i vizave po avancon çdo orë
Shqipëria gëzon mbështetje të gjerë për sa i përket liberalizimit të vizave. Një ditë pas mbërritjes nga takimi informal i Talinit, i organizuar nga NATO mbi konceptin e ri strategjik, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka përcjellë ndër të tjera edhe disa mesazhe politike që vijnë nga komuniteti europian për problemin e vizave. Duke folur hollësisht në një konferencë për shtyp, Meta deklaroi se ky proces po ecën përpara dhe se konkretizimi i tij do të bëhet në afatet e parashikuara. “Mund t’ju them se kam gjetur një gatishmëri të plotë dhe në rritje për të marrë sa më shpejt vendimin e duhur për liberalizimin e vizave me Shqipërinë...Pra, të jeni të bindur se jemi në një proces i cili avancon jo çdo ditë, por çdo orë. Duke përmendur që nga ministri i Jashtëm i Francës dhe shumë e shumë kolegë të tjerë, me qëndrimet e të cilëve jeni njohur vazhdimisht edhe gjatë javëve të fundit”, u shpreh ai. Në fakt, qëndrimi i ministrit të Jashtëm francez, Kushner u përcoll nga zyra e shtypit që një ditë më parë dhe në këtë kuptim nuk përbën ndonjë risi përsëritja nga titullari i Ministrisë së Jashtme. Po kështu, nota pozitive ka përcjellë edhe takimi tjetër i Metës me homologun grek, Droutsas, në të cilin është dhënë vlerësimi pozitiv grek për proceset integruese ndaj një vendi si Shqipëria, që sipas ministrit shqiptar “ka marrëdhënie strategjike me Greqinë”. Këto mund të thuhet se kanë qenë edhe dy kontaktet e posaçme të numrit dy të qeverisë në Talin, që janë paraprirë në fakt edhe me axhendën dypalëshe në Vjenë dhe Bratislavë. Gjithsesi për problemin e vizave, qëndrimet e palëve mbeten kontradiktore, edhe pse parimisht drita jeshile për Shqipërinë është hapur në një itinerar që imiton atë të Serbisë dhe Malit të Zi një vit më parë. Më shumë sesa sukses i Shqipërisë ky proces pasqyron një vendim politik të BE-së, që në analogji i vjen në kujtesë publikut shqiptar me aktin e pranimit në NATO. Një nga momentet kryesore të takimit të Talinit ka qenë edhe dhënia për Bosnjë-Hercegovinën e ftesës për t’iu bashkuar Planit të Veprimit për Anëtarësim – që sipas Metës është paradhoma e anëtarësimit në NATO. Ministri shqiptar ka vlerësuar këtë hap të ndërmarrë që i shërben stabilitetit rajonal, në të cilin ai ka riprodhuar një vlerësim maksimal, që vjen për Shqipërinë nga partnerët e huaj. Për sa i përket konceptit të ri strategjik të NATO-s, numri dy i qeverisë ka nënvizuar kontributin konstruktiv të Shqipërisë dhe angazhimin e saj deri në miratimin e dokumentit të ri në Samitin e Lisbonës. Samiti i Talinit ka rezultuar me një sukses të rëndësishëm për Bosnjën, por edhe Turqinë, si promovuese e hapur e saj, por nuk ka sjellë në Tiranë asgjë thelbësore lidhur me integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, edhe pse lobimi për këtë është një detyrë të cilën politika zyrtare nuk e ndan në asnjë moment nga axhenda e vet.
#