Deputeti Balla: Protesta, ditë çlirimi për shqiptarët
Minatorët i bashkohen protestës së Partisë Socialiste që nis më datë 30 prill për largimin e Kryeministrit Sali Berisha. Kjo u bë e ditur dje në Përrenjas nga kryetari i Sindikatave të Minatorëve, Fiqiri Xibri, i cili iu bashkua protestës së PS-së në zonën e Librazhdit. Sipas Xibrit, 1 Maji do të jetë ditë e protestës së minatorëve për dështimet e qeverisë. Nga ana e tij deputeti i PS-së për Librazhdin, Taulant Balla, akuzoi Kryeministrin Berisha se qeveria që ai drejton, po varfëron çdo ditë shqiptarët përmes faturave të dritave, rritjes marramendëse të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë. “Sali Berisha po vjedh çdo ditë shqiptarët përmes korrupsionit në çdo sektor publik. Ne na ndajnë edhe shtatë ditë nga 30 prilli, dita e fillimit të çlirimit të zgjidhjeve për shqiptarët”, deklaroi deputeti Balla në fjalën e tij. Në këtë kuadër, ai i bëri thirrje të gjithë socialistëve dhe qytetarëve të Librazhdit që në datë 30 prill të marshonin së bashku drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën maratonë që opozita do të nisë në këtë datë.
#