Heinkes e Bajern i tremben Ervin Skelës
Edhe pse Bajerni i Mynihut do të luajë me një skuadër modeste si Energie Kotbus, trajneri Jup Heinkes u trembet kundërsulmeve të miqve, me në krye fantazistin Ervin Skela. Për ta përgatitur sa më mirë sfidën me gjigantët bavarezë, e ndoshta duke shpresuar se do të marrë pikë të vlefshme në garën për mbijetesë, tekniku Prasnikar ka studiuar disa DVD me ndeshjet e yjeve të Bajernit. Ndërsa, në anën tjetër, Heinkes shqetësohet si të çajë mbrojtjen dhe të frenojë sulmet kundërshtare. "Përballemi me një skuadër kompakte në mbrojtje, e cila kundërsulmon rrezikshëm me lojtarë si Skela, Iliev e Rangelov", deklaroi trajneri që zëvendësoi Jurgen Klinsman. Sot, Skela luan me kundërshtarin e preferuar: në aventurën në Bundesligë, vlonjati ka shënuar tri herë në portën e Bajernit, por në asnjë rast nuk ka dalë fitues nga fusha.