E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: Për të ardhmen vendos në fund të sezonit

E ardhmja e Lorik Canës vazhdon të mbetet ende e paqartë. Për momentin mesfushori shqiptar po kalon një nga periudhat më të mira si lojtar në radhët e Olimpikut të Marsejës, ku mban edhe shiritin e kapitenit të skuadrës. Skuadra e tij është shumë pranë fitimit të titullit kampion të Francës. Ndërkohë që interesimet për të nga Gjermania (Bajerni i Mynihut) dhe Anglia (Liverpuli dhe Arsenali), po e tundojnë të provojë një aventurë në një nga këto dy kampionate. "Kam gjetur harmoninë në këtë skuadër, me ish-trajnerin Gerets dhe me këta tifozë", theksoi dje Cana. "Marseja më ka ndihmuar të rritem si lojtar. Kam luajtur në dy klubet më të mëdha të Francës (PSG dhe Marseja), por ndonjëherë duam të provojmë edhe ndonjë aventurë në një kampionat tjetër të madh. Megjithatë, për të ardhmen time do të vendos në fund të sezonit", ka përfunduar Cana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›