Kakà: Barça-Junajtid, finalja e duhur
Të dielën luhet Milan-Juventus, një ndeshje që të gjithë e presin, duke filluar nga kuqezinjtë, të cilët duan patjetër tri pikët për të mbajtur gjallë ëndrrën për titull, por mbi të gjitha për t‘u shkëputur përfundimisht nga bardhezinjtë në luftën për vendin e dytë, gjë që do të evitonte turin e bezdisshëm eliminator të Champions League. Për sa i përket Champions League, në shtëpinë kuqezi ka nga ata që qajnë faktin se nuk mundën të merrnin pjesë në këtë sezon. Ai është Rikardo Kaka, i cili në një intervistë për "La Repubblica", rrëfen në 360 gradë për gjithçka të këtij edicioni. "Mançester Junajtid-Barcelona është finalja e duhur. Do të ndeshen skuadrat që e kanë merituar, të dyja ato që të gjithë i dëshironin. Mançester e Barcelona luajnë futbollin më të mirë në Evropë. Janë brilantë e mjaft të fortë. Katalanasit luajnë shumë mirë, Mançester është solid dhe i mbushur me talente. Kam shumë miq në të dyja skuadrat. Nuk mundem të zgjedh për kë do të bëj tifo. Por është një finale e gjitha për t‘u parë". Në finalen e Romës do të ketë edhe sfida brenda sfidës mes të fundit "Top të Artë", Kristiano Ronaldo dhe lojtarit që synon ta fitojë për herë të parë, Lionel Mesi. Sigurisht dy nga futbollistët më të mirë në botë. "Kristiano e Lionel janë në një formë shumë të mirë dhe janë dy nga futbollistët më të mirë në botë. Besoj se rrallë mund të verifikohet një përballje e tillë në një finale Champions League. Unë kundër Xherrard në 2007-ën? Ishte ndryshe, në atë epokë përballja e vërtetë do të ishte me Kristiano Ronaldon. Mesi e Ronaldo kanë karakteristika të ndryshme. Kristiano është shumë i fuqishëm: është i fortë fizikisht, agresiv, shumë potent. Ndërsa Mesi është jashtëzakonisht shumë teknik, e kontrollon mirë topin, ka një shpejtësi absolute. Ndihem më pranë Ronaldos, për shkak të karakteristikave të njëjta. Por Mesi është një lojtar shumë i veçantë, gati unik: nuk ka një fizik të madh, por është mes më të mirëve, në një futboll gjithnjë edhe më muskulor", ka shtuar braziliani. Kaka ka vuajtur gjatë gjithë vitit, duke parë nga televizori skuadrat e tjera që luajnë në Champions, një kompeticion i cili i mungon jashtë mase asit kuqezi: "Mendoj se mund të ishim edhe ne. Vuan shumë kur nuk merr pjesë në të. Mendoj se Champions është spektakli më i mirë i mundshëm dhe ku dua të rikthehem menjëherë me Milanin. Madje, vuajtja e këtij sezoni ka qenë një motiv më shumë për të arritur kualifikimin për në Champions-in e ardhshëm. Nëse të dielën e mundim Juventusin, atëherë mund ta sigurojmë pjesëmarrjen".