Hekurudha bllokon punimet në rrugën Plepa-Rrogozhinë
21/01/2009 DURRES- Drejtoria e përgjithshme e Hekurudhës sh.a ka bllokuar dje punimet në disa nyje të rrugës që nis tek mbikalimi në Plepa deri në Rrogozhinë. Punimet për ndërtimin e rrugës kryesore që lidh jugun e vendit me kryeqytetin kanë nisur vetëm 10 ditë më parë dhe do të përfundojnë më 30 qershor, në një kohë 6-mujore. Por dje në terren ka qenë vet drejtori i HSH Zamir Ramadani dhe drejtori i Inspektoratit Hekurudhor Ahmet Allmani. Nisur nga informacionet nga terreni mësohet se në disa nyje të rrugës gjatë zgjerimit të saj në anë të hekurudhës ka pasur probleme. Firmat kanë gërmuar fare pranë shinave të trenit dhe mosndërtimi i murit mbajtës ka shtyrë hekurudhën të kërkojë pezullimin e punimeve. Dje në mesditë investimi është inspektuar nga drejtues kryesore të hekurudhës si dhe Andi Toma drejtor i Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve. Ata janë konsultuar me drejtues teknik të firmës duke u bërë të ditur se nuk mund të ecnin më tej më gërmime pa siguruar trasenë. Gërmimi i dheut në skarpatin e hekurudhës ka krijuar frikën tek specialistët për çedim të udhës së hekurt, e cila krahas peshës së trenave e vagonëve me udhëtarë e mallra do të duhet të rezistojë edhe nga reshjet e dimrit e të pranverës, pasi ato rrezikojnë të marrin përpara shinat dhe të dëmtojnë rëndë hekurudhën. Nga Plepat deri tek Përroi i Agait situata është cilësuar nga specialistët e hekurudhës problematike, pasi zbatuesit e projektit kanë gërmuar duke lënë të zbuluar trasenë. Ing. Allamani ka thënë se të dy firmat janë treguar të gatshme të ndërpresin punimet për t’iu kthyer ndërtimit të murit. Por edhe në këtë rast ka probleme ngase hekurudha ka kërkuar mur mbajtës, kurse firma ka bërë të ditur se do të ndërtojë mur pritës.