E Diel, 1 Nëntor 2026

Helidon Gjergji: Akademia në një tranzicion pozitiv

 

Alma Mile

Ai thjesht ndoqi linjën e familjes. Nuk u bë aktor, as shkrimtar, madje as muzikant, si gjyshi Xhemal Broja, apo i ati. Thotë me të qeshur se ishte radha e arteve pamore.  E duket se pikërisht këtu, Helidon Gjergji ka qëlluar në shenjë. U bënë vite tanimë që jeton jashtë Shqipërisë. Ka krijuar një emër të mirë andej dhe vazhdimisht është pjesë e ekspozitave ndërkombëtare, që zhvillohen në Amerikë e Evropë. Prej një muaji, Gjergji ndodhet në Tiranë, ku po zhvillon leksione me studentët e Fakultetit të Arteve Pamore. Pas tij do të vijnë edhe Adrian Paci, Anri Sala e Edi Muka. Në një intervistë Gjergji tregon jetën e tij në Nju Jork, vështirësitë dhe karrierën, por edhe fëmijërinë e largët, në kohën e internimit të gjyshërve nga regjimi komunist.
Jeni në Tiranë për të dhënë një muaj leksione në Akademinë e Arteve, cili është programi juaj?
Janë programe individuale, që do të thotë që kemi lirinë të ndërhyjmë dhe t'u japim studentëve ato praktika, që mendojmë se kanë nevojë. Programi im është i ndarë në tre seksione, që përfshin leksione me studentët, seminare e diskutime, ndjekje të punëve të tyre dhe së fundmi ekspozita, që hapet sot dhe përfshin punët e 15 studentëve, të cilët unë i kam ndjekur nga fillimi deri në fund.
Cili është koncepti i kësaj ekspozite?
Titullohet "Plastika" dhe merr nxitje nga lënda e plastikës që aplikohet në degën e Skulpturës dhe Qeramikës. Është shumë interesante se si ata punojnë me materialet tradicionale, me baltën e qeramikën, por ideja ime ishte për ta hapur ca më tej idenë e plastikës, brenda mureve të Akademisë. Për të parë këndvështrime të tjera, plastika si ide, si material. Studentët e kanë kuptuar më së miri idenë dhe e kanë realizuar aq mirë, saqë nuk mund t'i quaj më studentë, por kolegë. Gjatë inaugurimit do ketë edhe një performancë e studentëve që punojnë me baltë. Është një lloj shkrirjeje e kufijve. Që do të thotë se nuk ka hierarki, se ata që punojnë me baltë janë po aq të vlefshëm sa ata që përdorin shishet plastike si lëndë. Të gjithë jemi të barabartë. Nuk ka art inferior dhe art superior.
Si e gjeni Akademinë e Arteve?
Kam tre eksperienca me Akademinë e Arteve. Janë tre momente që lidhen fillimisht me tre vitet e para të shkollës, nën diktaturë, në vitet '87-'90, pastaj jam shkëputur dy vjet për të vazhduar një shkollë në Itali e pastaj jam rikthyer për të përfunduar akademinë, për t'u diplomuar në vitin '94. Pra, kam parë vitet e fundit të diktaturës, fillimet e viteve '90, kur ishte fillimi i tranzicionit dhe kishim një hov të artit bashkëkohor, që vinte si rrjedhim i hapjes pas një periudhe të gjatë. Dhe eksperienca e tanishme, pas shumë vitesh. E shikoj gjithnjë në progres. Edhe pse kanë kaluar shumë vite është ende në tranzicion, por është një tranzicion pozitiv. Shoh që ka hapje të mentalitetit për shkëmbim eksperience, studentët kanë mundësi të zgjedhin. Ka problemet e veta si çdo shkollë arti, por unë e shoh pozitivisht.
E mendonit dot në vitet '87, të bënit një ekspozitë si kjo e sotshmja?
Nëse do guxoja ta thosha një ide të tillë, do të përfundoja pas hekurash. Deri në vitin '90 nuk bëhej fjalë për debat, çdo gjë ishte shumë e ndrydhur.
Jetoni prej vitesh jashtë vendit, cila është jeta juaj?
Jetoj në Nju Jork për momentin dhe do të doja të qëndroja edhe për ca kohë, sepse është një qytet interesant, në veçanti për artet pamore. Gjatë kohës së qëndrimit tim në Amerikë, 12 vjet dhe 6 të tjera në Itali, kam lëvizur në shumë qytete dhe Nju Jorku është qyteti i fundit. Kam 5 vjet aty dhe kam një eksperiencë, që është pjesë e një mozaiku më të madh, që lidhet me diktaturën, '94-ën, ndryshimet, etj. Më tej është Italia,  përballja me botën perëndimore, për të cilën kishim një farë ideje, por kur shkon atje gjen ndoshta diçka krejt tjetër, ndoshta edhe shokohesh. E më tej eksperienca amerikane. Të gjitha këto kanë brumosur krijimtarinë time dhe tani jam profesionist i lirë. Kam bërë një master 2-vjeçar në Universitetin e Northwesterit në Çikago, në vitin 2000 dhe prej atëherë kam punuar si artist i lirë, kam dhënë leksione si lektor dhe kam marrë pjesë në shumë aktivitete në Amerikë, Evropë e Shqipëri.
Ju tashmë keni një emër, sa e vështirë ka qenë ta ndërtoni?
Është shumë e vështirë dhe vazhdon të jetë, sepse është një proces. Ka shumë përbërës, sepse duhet të jesh i angazhuar si artist 100%, duhet të kesh kontakte me botën profesionale, me galeritë, kuratorët, etj, që të merr një kohë shumë të madhe, për të mos qenë i veçuar. Ka një shprehje kineze që thotë "bie një dru në pyll dhe askush nuk e dëgjon", sepse ka shumë artistë që punojnë në studiot e tyre, por është e nevojshme të jesh pjesë e një dialogu më të gjerë, të mund të komunikosh me publikun. Dhe kjo është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Jam i kënaqur që e kam kaluar këtë eksperiencë dhe vazhdoj ende.
Eksperienca e një shqiptari që ka jetuar në kapërcyell sistemesh sa ndihmon në art?
Padyshim. E gjithë puna ime brumoset nga jeta ime, si për të gjithë artistët e tjerë. Të qenit shqiptar, në mënyrë direkte, apo indirekte ndikon. Eksperienca jonë nuk na bën as më të mirë, as më të keq, por ndryshe.
Nëse kthehemi pas në kohë, ç'ju shtyu të merreshit me art?
Gjyshi im, Xhemal Broja ka qenë aktor, regjisor, dramaturg, drejtor i Teatrit Kombëtar, pedagog i artit dramatik në Akademinë e Arteve. Nga ana tjetër gjyshja ime, një nga feministet e para shqiptare, bashkë me Mysine Kokalarin, Selfixhe Ciun dhe ajo poete, gazetare, që ka kontribuar shumë për emancipimin e femrës në vitet '40. Im atë është muzikant, trompist, pedagog. Kam pasuruar degën e artistëve, kemi shkrimtarë, aktorë, muzikantë e si duket u kishte ardhur radha arteve pamore.
Familja juaj nuk e ka pasur jetën e thjeshtë, është internuar gjatë viteve të diktaturës...
Çdo kush ka pasur ulje ngritjet në jetën e vet, gjë që reflektohet edhe në karrierë. Si gjyshi dhe gjyshja ishin ndër themeluesit e Partisë Komuniste, në 200 të parët, por në '45-ën u internuan, sepse nuk ishin dakord me linjën e partisë. U rehabilituan dhe të dy bënë karrierë në fushat e tyre, jo si anëtarë partie, por si artistë. Por u internuan sërish. Madje edhe unë vetë kam qenë në internim në moshën 1-vjeçare në Gradishtë të Lushnjës. Por, duket se u solla fat sepse, u liruan.
Përse u internuan për herë të dytë?
Këto pyetje mund të marrin përgjigje vetëm me hapjen e dosjeve, sepse askush nuk e di.
Si ju duket ideja e hapjes së dosjeve?
Është e frikshme. Sepse mund të kesh qenë në internim dhe sërish të kesh spiunuar. Dy herë e frikshme.

Rikthimi i trurit
"Brain Gain" është një projekt i Qeverisë shqiptare, që përfshin disa universitete dhe synon kthimin në Shqipëri të intelektualëve me emër, që bëjnë karrierë jashtë vendit. Në Akademinë e Arteve të Bukura, në Fakultetin e Arteve Pamore është planifikuar ardhja e 3 artistëve dhe 1 kuratori, me një njohje të gjerë ndërkombëtare, të cilët do të japin nga një muaj leksione në këtë fakultet. Bëhet fjalë për artistët Adrian Paci, Anri Sala, Helidon Gjergji dhe Edi Muka. I pari që ka nisur projektin është Helidon Gjergji e do vijojë më tej me të tjerë artistë.

Shkrirje kufijsh
"Plastikë" është ekspozita e hapur mbrëmë në ambientet e Galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore, ku u ekspozuan punët e 15 studentëve. Krahas punëve të ekspozuara disa syresh, morën pjesë në një performancë "live" të realizimit të punëve në baltë. Krahas lëndës bazë të plastikës, balta, në ekspozitë u paraqitën edhe punë të realizuara me të tjera materiale, si shishe plastike, polisterol, por edhe në mediume të tjera si fotografia, apo videoja. Një miksim lëndësh dhe mediumesh, për të treguar se tanimë mënyrat e shprehjes nuk kanë më kufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›