E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i Dosjeve nuk na ndan me të kaluarën

Blendi Kajsiu 

Ajo që të bën përshtypje te debati i fundit në lidhje me ligjin e Dosjeve është fakti se ai gjithnjë e më pak ka të bëjë me një shqetësim social. Natyrisht nuk është as hera e parë dhe as e fundit që debatet themelore në skenën publike kanë të bëjnë pak ose aspak me publikun, që gjithnjë e më  tepër po kthehet në një spektator indiferent përballë debateve që bëhen ....në emër të tij. Por ajo që të bën përshtypje në rastin konkret është insistimi aktorëve dhe faktorëve politik apo mediatike, për të futur shoqërinë në një debat nga ku ajo po del gjithnjë e më shumë. Jo domosdoshmërish sepse mungon dëshira shoqërore për t'u ndarë me të kaluarën, por sepse Ligji i Dosjeve nxjerr në pah pamundësinë e diçkaje të tillë me aktorët politik të së tashmes. Sot në vitin 2009 është tepër e vështirë për shoqërinë shqiptare të besojë se ndarjen e saj me të kaluarën komuniste mund ta kryejë lideri i PD-së Berisha, që mbetet një nga produktet më madhore të kësaj të kaluare në skenën tonë politike, çka reflektohet qartë edhe tek disa nga 'harresat' e ligjit, siç janë ish-sekretarët e Partisë së Punës. Prandaj thirrjet e Berishës për t'u ndarë nga e kaluara tingëllojnë tejet të zbehta, veçanërisht sot, veçanërisht përballë atij brezi që voton për herë të parë në 2009 dhe që nuk ka jetuar asnjë ditë në komunizëm. Për këtë brez, kjo thirrje për t'u ndarë me të kaluarën që vjen po nga e kaluara është thjesht e pakuptimtë. 
Por edhe ata që janë persekutuar rëndë nga regjimi komunist dhe nga prokurorët dhe gjyqtarët e tij, që sot janë ende pjesë e sistemit tonë të 'drejtësisë', zor se mund të besojnë te Ligji i Dosjeve si ndarje me të kaluarën. Jo sepse kjo ndarje 'rastësisht' nënkupton eliminimin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë duke hetuar ekzekutivin. Por sepse ky ligj, nga mënyra si është bërë, nga mënyra se si po mbrohet, dhe nga kontestimet me të cilat po përballet, që nga BE-ja deri te SHBA-ja, duket se ka një dhe një qëllim të caktuar; të mos zbatohet. Aq e interesuar është PD-ja për t'u ndarë nga e kaluara, saqë ka prodhuar një ligj që i ka të gjitha shanset për t'u mos u zbatuar kurrë.
Me dështimin e tij ky ligj jo vetëm që nuk do ta pastrojë drejtësinë tonë nga e kaluara komuniste, por rrezikon ta projektojë këtë të kaluar edhe në të ardhmen. Dhe kjo nuk do ishte hera e parë që anti-komunizmi i PD-së shërben thjesht për të legjitimuar ish-komunistët në skenën tonë politike.  Mjafton të kujtojmë këtu ligjin anti-genocid që PD-ja miratoi përpara zgjedhjeve të vitit 1996. Pasoja e atij ligji, së bashku me gjithë anti-komunizmin demokrat, nuk ishte veçse legjitimi i ish-komunistëve në skenën politike pas 1997. Në të dyja rastet prodhohen ligje që më shumë sesa ndarjen me të kaluarën, synojnë të zgjidhin hallet e ekzekutivit në të tashmen. Prandaj është vështirë që ky ligj të ngjallë interesin dhe entuziazmin, qoftë edhe të shtresave më të persekutuara të regjimit komunist. Atëherë mendoni sa interes mund të ngjallë ky ligj tek shtresat e tjera sociale, që më shumë sesa ndarjen me të kaluarën, kanë prioritet mbijetesën në të tashmen. 
Në këto kushte aktorët dhe faktorët e përfshirë në debatin e Ligjit të Dosjeve, më shumë sesa shqetësime sociale po artikulojnë shqetësime e tyre personale apo institucionale.  Nëpërmjet Ligjit të Dosjeve, SHBA-ja po shpreh shqetësimin e saj për gjyqësorin dhe pakënaqësinë me Berishën, pavarësisht se në gjyqësorin tonë sot ekzistojnë ende persekutorët e djeshëm. BE-ja, si gjithmonë një problem thellësisht politik po e redukton në një problem thellësisht legal. Për të ka pak rëndësi dimensioni social dhe historik i çështjes. PS-ja, që nuk ka as dëshirë dhe as interes ta pastrojë gjyqësorin nga e kaluara komuniste, është e shqetësuar nga shqetësimi i BE-së dhe SHBA-së. Ndërsa shqetësimi real i ekzekutivit janë prokurorë apo gjyqtarë të veçantë që po merren me hetimin e tij. Synimi kryesor i ekzekutivit është demaskimi dhe jo pastrimi i gjyqësorit dhe aq më pak ndarja me të kaluarën.  Prandaj ligji për dosjet po arrin të ndajë aktorët dhe faktorët e ndryshëm politik mes vetes, por jo shoqërinë shqiptare nga e kaluara e saj. Përballë këtij ligji, shoqëria shqiptare po bashkohet gjithnjë e më shumë në indiferencën e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›