Nisën përgatitjet për Folklorikun
Kanë nisur përgatitjet për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Një vit më parë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli organizimin e tij në datat 24-29 shtator. Dje, në një konferencë për shtyp, ministri Ylli Pango u shpreh se kjo veprimtari shumë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore kombëtare ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, etj., të krijuara prej shekujsh nga populli. Tashmë ka filluar faza e parë e përgatitjes në të gjithë vendin, e cila përfshin ngritjen e grupeve të punës, kontaktin me grupet popullore, bartësit dhe interpretuesit e trashëgimisë kulturore shpirtërore, organizimin e shfaqjeve dhe ekspeditave, në të gjithë territorin e Qarkut, etj.