Premtimi i Lorik Canës: Do të kthehem shumë shpejt
Lorik Canës i ka humbur durimi. Ai qëndron jashtë fushave të lojës për më shumë se një muaj dhe kjo është një gjë e pazakontë për një futbollist që është mësuar të luajë titullar në çdo ndeshje. Lojtari ka pohuar se është mërzitur që nuk luan dhe se po bën të pamundurën që të rikthehet sa më shpejt në skuadër. Pas humbjes kundër Lionit, Marseja e tij është gjithnjë e më larg ëndrrës për të fituar titullin këtë sezon. "Jam i mërzitur për humbjen, por nuk kisha se çfarë të bëja - ka thënë Cana për mediat franceze. - Për të qenë i sinqertë, jam mërzitur edhe për faktin që nuk luaj. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë që të qëndroja kaq gjatë jashtë fushave.
Po përpiqem që të rikthehem sa më shpejt dhe po bëj të pamundurën në fizioterapi. Gjuri tashmë është qetësuar, por gjithsesi rikuperimi do kohën e vet. Do të përpiqem që të bëj të pamundurën dhe t'i befasoj mjekët, pra të kthehem në fushë, më parë nga sa është parashikuar". Megjithatë, ka shumë pak gjasa që mesfushori i Kombëtares shqiptare të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Maltës më 11 shkurt.