E Diel, 1 Nëntor 2026

Helikopterë në Durrës për të verifikuar zonat me kanabis

DURRES – Helikopterë për të verifikuar parcelat me kanabis në zonat e thella të Qarkut të Durrësit. 

Këtë kërkesë bënë dje drejtuesit e komunave të largëta ndaj policisë, në një takim të përbashkët për strategjinë antikanabis. Zv.drejtori i policisë së Qarkut të Durrësit, Hamza Bodlli, ka deklaruar se të gjitha strukturat e policisë lokale, krerët vendorë, drejtues të institucioneve arsimore dhe shëndetësore kanë nisur një fushatë të gjerë antikanabis. Në thelb të takimit të zhvilluar në sallën kryesore të Drejtorisë së Policisë ka qenë sinkronizimi i të gjitha strukturave përgjegjëse, me qëllim zhdukjen përfundimtare të kultivimit të bimëve narkotike nga harta e Qarkut Durrës-Krujë. Kryetari i Komunës së Gjepalajt, Alfred Greca shprehu vështirësitë e kontrollit në njësinë vendore të drejtuar prej tij. Sipas Grecës zona është tepër e thellë dhe në të është e vështirë shkelja e plotë e territorit. Ai shprehu kërkesën për kontroll ajror të zonës, mundësi kjo e cila do të shqyrtohet me përparësi nga policia e Durrësit. Në Qarkun e Durrësit lufta kundër kanabisit do të përqendrohet kryesisht në zonat e thella kodrinore dhe malore të Ishmit, Gjepalajt, Manzës dhe të Krujës, aty ku trafikantët dhe fermerët lokalë mund të synojnë mbjelljen e parcelave me narkotikë.        o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›