E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët rrugorë në gjykatë për rrahje

BERAT – Gjykata e Beratit nis gjykimin e akuzës së një 20-vjeçari për dhunë të ushtruar ndaj tij dhe shokut që e shoqëronte prej dy policëve rrugorë. 

Ngjarja ka ndodhur në prill të këtij viti, ku sipas dëshmisë së Ledion Plakës nga Kuçova, bashkë me Arben Polisin janë dhunuar nga policët Dule Metushi dhe Elton Prendi. Polisi u arrestua me akuzën e kundërshtimit të uniformave blu, ndërsa Plaka pas shoqërimit u la i lirë, por duke iu drejtuar menjëherë Prokurorisë për të kryer denoncimin e tij. Në bazë të kallëzimit cilësohet se dy të rinjtë, mbrëmjen e 2 prillit po qarkullonin pranë vendit të quajtur “Këndi i Lojërave” në Kuçovë. Atyre u është bërë shenjë të ndalonin prej dy punonjësve të qarkullimit të komisariatit të qytetit. Duke pretenduar se ishin të dehur dhe jo me uniforma policie, Plaka thotë se ata kanë filluar debatin me shokun e tij e më pas kanë ushtruar dhunë ndaj të dyve. Pas kësaj përplasjeje, policët i shoqëruan të dy në komisariat, ku Polisit iu vunë prangat për goditje për shkak të detyrës ndaj uniformave blu. Tashmë çështja është në duart e Gjykatës, pasi Prokuroria ka dorëzuar dosjen me të pandehur dy punonjësit e policisë.                         d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›