Këshilltari i bashkisë, leje për mallrat-ndihma të shoqatës
Tirane - Për shkak se shoqata "Bujaria Shqiptare", me kryetar Kasem Skerën e kishte selinë në Kamëz, bashkia e zonës aprovonte lejet e hyrjes së mallrave për bamirësi, për llogari të shoqatës. Kjo ishte lidhja ligjore që kishte bashkia me shoqatën, për të gjitha rastet kur mallra të ndryshme, ushqimore dhe veshmbathjeve, vinin nga fondacione të huaja për personat në nevojë dhe me të ardhura të pakta ekonomike. Në këtë formë shoqata kishte edhe një tjetër favor, pasi mallrat humanitare përjashtohen nga detyrimet doganore. Por kryetari i shoqatës "Bujaria Shqiptare", Skera, ka dashur të përfitojë nga pozicioni i tij, për të përvetësuar disa nga mallrat që vinin për bamirësi. Në këtë formë ai ka siguruar edhe lidhjen që i nevojitej në bashki, me anë të të njohurit të tij Mëhill Hasani. Ky i fundit, duke qenë se ishte anëtar i Këshillit Bashkiak, ka mundur të sigurojë në mënyrë të jashtëligjshme dokumente bashkiake, në mënyrë që të plotësonin praktika doganore të falsifikuara për mallrat që vinin për bamirësi. Pasi merrnin mallin që mbërrinte në doganë nga jashtë, ata e dorëzonin bashkë me dokumentet e falsifikuara në Drejtorinë e Doganës, ku e servirnin si të zhdoganuar. Praktika doganore plotësohej nga Hasani dhe Skera, në bazë të sasisë së mallit që futej në doganë dhe më pas firmosej po nga ata. Për këto dokumente që siguronte Mëhill Hasani përfitonte gjysmën e fitimit nga shitja e mallrave në treg.