E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi me acid ish-gruan, arrestohet 26-vjeçari

 

Tirane - Policia e kryeqytetit arrestoi pak orë pas ngjarjes 26-vjeçarin, i cili i hodhi acid në fytyrë ish-bashkëshortes, teksa ajo po ecte në trotuar me një shoqen e saj. Burime nga policia thanë dje së është arrestuar Elton Alia, me akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje". Ndërkohë duke dashur të mbrohet para oficerëve të policisë, Alia ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se lënda të cilën i ka hedhur ish-gruas së tij, ishte acid. "E kam marrë në farmaci, duke menduar se ishte ujë i oksigjenuar dhe doja vetëm ta trembja", ka deklaruar ai në polici. Elton Alia është arrestuar në banesën e tij dhe ka rezultuar person me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas të dhënave nga policia, mësohet se Alia para disa vitesh ka qenë i dënuar në një burg mes Kroacisë dhe Sllovenisë, pasi akuzohej për vjedhje vilash. Gjithashtu ai rezulton person në kërkim edhe nga shteti italian për vjedhje. Ndërsa në momentin e arrestimit, në banesën e tij policia ka sekuestruar disa televizorë, kompjuterë, aparate fotografikë, që dyshohet të jenë të vjedhura, si dhe 2 thika të përmasave të ndryshme. Ndërsa dy ditë më parë ai plagosi ish-bashkëshorten e tij, Dhurata Tërshana, e cila po ecte në rrugë bashkë me një shoqen e saj, Sabina Karaj. Ai i ka hedhur acid në fytyrë, duke i shkaktuar djegie në shkallën 15 për qind. Mësohet se 25-vjeçarja Tërshana pritet të niset për mjekim më të sofistikuar në Itali, pasi plaga e shkaktuar nga acidi sulfurik në pjesën e fytyrës dhe në qafë është mjaft e rëndë. Sipas të dhënave, Alia me këtë veprim ka dashur të hakmerret ndaj ish-gruar së tij, e cila e kishte lënë dy muaj pas dasmës. Të afërmit e të plagosurës kanë shpjeguar në polici edhe arsyet e ndarjes së tyre para disa muajsh. Sipas familjarëve, vajza e tyre kishte pasur probleme edhe më parë me bashkëshortin e saj, duke qenë se ai ishte me precedentë penalë dhe kishte qenë edhe në burg. Ndërkohë në një moment kur Dhurata Tërshana kishte një mundësi për të bërë një udhëtim drejt Italisë, i shoqi nuk e ka lejuar, madje i ka marrë të gjitha rrobat që ajo kishte bërë gati për udhëtim dhe u ka vënë flakën në mes të shtëpisë. Kjo, sipas tyre, ka qenë arsyeja që ata ishin ndarë, vetëm dy muaj pasi ishin martuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›