Kontrabanda, pranga 2 zyrtarëve
Etleva Delia
Një anëtar i këshillit bashkiak të Kamzës dhe kryetari i shoqatës së personave në nevojë "Bujaria Shqiptare", u arrestuan nga policia e Tiranës për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh. Mëhill Hasani, 47 vjeç, anëtar i këshillit bashkiak dhe Kasem Skera, 62 vjeç, kryetar i shoqatës, ranë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë në Kamëz. Burime nga policia thanë se pas disa javësh në hetim, dje është firmosur urdhërarresti, pasi dy të akuzuarit janë kapur në flagrancë duke tentuar të hedhin në treg 180 mijë palë këpucë kontrabandë të futura në Shqipëri sikur ishin për bamirësi. Këpucët mbërritën mëngjesin e dy ditëve më parë nga Italia dhe kaluan doganën pa u zhdoganuar, pasi aty u paraqitën shkresa që tregonin se malli ishte dhuruar nga një fondacion italian në formën e ndihmave humanitare për shoqatën "Bujaria Shqiptare". Mallrat e destinuar për ndihma futen pa doganë në territorin e Shqipërisë. Por në mënyrë që të përfitonin nga shitja e këpucëve italiane, Hasani dhe Skera në bashkëpunim kanë falsifikuar një praktikë doganore, duke i hedhur në treg këpucët sikur të ishin të zhdoganuara, në mënyrë që të përfitonin paratë nga tregtia e tyre.
ARRESTIMI
Një parregullsi në dokumentet e praktikës doganore, që i është dorëzuar Drejtorisë së Doganës Tiranë, ka nxjerrë zbuluar anëtarin e këshillit bashkiak të Kamzës dhe kreun e shoqatës "Bujaria Shqiptare". Ekspertët e Doganës kanë konstatuar se dokumentacioni i praktikës doganore, ku flitej për 180 mijë palë këpucë që vinin nga Italia, ishte i falsifikuar. Menjëherë autoritetet doganore kanë sinjalizuar Seksionin e Antikrimit Ekonomiko-Financiar të Tiranës, duke denoncuar edhe dy personat që kishin dorëzuar dokumentacionin e falsifikuar. Dogana dhe policia kanë bllokuar mallin, që sipas tyre ishte futur kontrabandë në Shqipëri. Në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë oficerët e antikrimit ekonomik kanë nisur operacionin për ndalimin e dy të dyshuarve, Mëhill Hasani dhe Kasem Skera. Ata janë arrestuar në banesat e tyre në Kamëz me akuzat e "kontrabandës me mallra të tjera" dhe "falsifikim dokumentesh", të kryera në bashkëpunim. Burime nga policia thanë se dy të arrestuarit fillimisht kanë hedhur poshtë akuzat, deri në momentin e ballafaqimit me provat që ishin bllokuar në doganë, si dhe me dokumentet e falsifikuara që ishin nënshkruar nga të dy të arrestuarit. Me gjithë dyshimet e oficerëve të policisë, se bashkëpunimi mes kreut të shoqatës dhe zyrtarit të Bashkisë Kamëz ishte realizuar edhe për mallra të tjerë, dy të akuzuarit e kanë hedhur poshtë këtë. Nga ana tjetër, oficerët e Antikrimit Ekonomik kanë nisur hetimet për të zbuluar të gjitha rastet e mallrave që mund të jenë futur kontrabandë në Shqipëri, në të njëjtën formë si këpucët e sekuestruara. Burimet sqaruan se dyshohet se rasti i 180 mijë palë këpucëve kontrabandë mund të mos jetë i vetmi i këtij bashkëpunimi.
TE ARRESTUAR
1. Mëhill Hasani,
47 vjeç, anëtar i këshillit bashkiak të Kamzës
2. Kasem Skera,
62 vjeç, kryetar i shoqatës së bamirësisë
"Bujaria Shqiptare"