E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni me licencat, gjykata: 1.8 vjet burg ish-drejtorit Madani

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje dënimin me burg të Shkëlzen Madanit, ish-zyrtarit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes akuzuar për korrupsion me lejet e importit të eksplozivit. Togat e zeza deklaruan fajtorë dhe dënuan edhe dy prej tre të bashkëpandehurve të tij, ndërsa dhanë pafajësi për shtetasin turk, Nihat Sobaçi. Vendimi për ish-zyrtarin e lartë të ministrisë, njëkohësish i pandehur edhe në dosjen "Gërdeci", u shpall ditën e djeshme në dhomën penale të gjykatës së kryeqytetit. Në dënimin përfundimtar të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit me kohë të shkurtuar gjatë shqyrtimit të dosjes në ngarkim të tyre në gjykatë. Të pandehurit e kësaj dosjeje u gjykuan në gjendje të lirë. Verdikti i togave të zeza kryeqytetase për dosjen në ngarkim me katër të pandehur, mes të cilëve edhe ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, u lexua dje nga kryesuesi i seancës, gjyqtari Petrit Çomo. Sipas vendimit, Shkëlzen Madani u deklarua fajtor dhe u dënua përfundimisht me 1 vit e 8 muaj burg dhe 1.2 milionë lekë gjobë, si dhe një vit pezullim nga ushtrimi i veprimtarisë në funksione shtetërorë për akuzat e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", "prodhim i mjeteve për falsifikim" dhe "falsifikim dokumentesh shkollorë". Për të pandehurin Ferdinand Hodo, gjykata vendosi dënimin e tij me 1 vit e dy muaj burg për akuzat e "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", ndërsa A. Çota u dënua me 10 muaj burg për "moskallëzim krimi". I akuzuar për "korrupsion aktiv" ka dalë paq i pandehuri Nihat Sobaçi, i cili ka fituar dje pafajësinë. Një seancë më parë, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga pala e akuzës, prokurori i çështjes kërkoi një total prej 13 vjet e 6 muaj burg, si dhe 4.5 milionë lekë gjobë. Të pandehurit e kësaj dosjeje, e cila u dërgua për gjykim në muajin prill, u akuzuan nga organi i akuzës për shkelje ligjore gjatë procedurave të licencimit për shfrytëzimin e lëndëve plasëse ushtarake për qëllime civile, siç ishte ndërtimi i segmentit Durrës-Kukës-Morinë. Sipas Prokurorisë, të pandehurit ishin përfshirë në aferë korruptive me Shkëlzen Madanin, ish-kryetar i Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil, për të siguruar marrje lejesh dhe zgjatje kontratash për sigurimin e lëndës plasëse.           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›