E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama raport në Kuvend: Zyrtarëve t’u hiqet imuniteti



Prokurorja e Për-gjithshme Ina Rama i kërkon zyrtarisht Parlamentit ndryshime ligjore për heqjen e imunitetit të zyrtarëve ndaj hetimeve për korrupsion. Në raportin "për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2009", dorëzuar zyrtarisht në Parlament, kryeprokurorja shprehet se është e nevojshme të bëhen amendime ligjore për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve në mënyrë që prokuroria të zhvillojë hetime efektive kundër zyrtarëve për akuzat e korrupsionit. Raporti i paraqitur nga Prokurorja e Përgjithshme në Parlament pritet të shqyrtohet brenda pak ditëve në Komisionin përkatës dhe më pas pritet të paraqitet në Kuvend brenda javës së parë të muajit qershor 2010. Një nga rekomandimet e Kryeprokurores, është kufizimi i imunitetit të zyrtarëve, një kërkesë e cila është artikuluar edhe publikisht nga Prokurorja e Përgjithshme, por edhe nga drejtuesit e Zyrës Task- Force Antikorrupsion në Prokurorinë shqiptare.
Korrupsioni
Gjatë vitit 2009, prokuroria ka hetuar 89 persona të pandehur për korrupsion. Raporti i prokurorisë vlerëson se krahasuar me vitin 2008, në vitin 2009 pati shtatë zyrtarë më shumë të cilët u morën të pandehur për akuzën e korrupsionit. Nga të dhënat e raportit, del se ka pasur rritje të rasteve të korrupsionit që janë denoncuar në 3-mujorin e tretë të vitit 2009. Sipas prokurorisë, interesant është fakti se gjatë vitit 2009 të gjithë të akuzuarit për korrupsion janë meshkuj pasi nuk ka asnjë të pandehur femër edhe pse në vitin 2008 ishin akuzuar dy gra për këtë vepër penale. Sipas raportit, gjatë vitit 2009 nga të pandehurit për korrupsion katër prej tyre ishin me arsim 9-vjeçar, 15 me arsim të mesëm dhe 24 të pandehur me arsim të lartë. Në raport thuhet se 25 të pandehur ishin sektori shtetëror dhe vetëm 4 të pandehur për korrupsion ishin nga sektori privat. Hierarkia e këtyre të pandehurve është: 12 nëpunës të nivelit të mesëm, një i nivelit të lartë, dhe shtatë nëpunës të thjeshtë. Prokuroria thotë se ka pasur ulje të procedimeve për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas raportit vërehen gjithashtu edhe uljet e rasteve të hetuara për veprën penale "shpërdorimi i detyrës" ndërkohë që janë hetuar gjatë vitit 2009, 26 të pandehur për akuzën e pastrimit të parave me pesë të pandehur më shumë se në vitin 2008.
Krimi i organizuar
Sipas raportit të kryeprokurores Ina Rama, gjatë vitit 2009 u hetuan katër organizata kriminale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këto katër organizata kriminale janë akuzuar për kryerjen e krimeve si trafikimi i narkotikëve, rrëmbim personi, vrasje me paramendim dhe vjedhje me dhunë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar gjatë vitit 2009 edhe 17 grupe të strukturuara kriminale, me akuzat për kryerjen e trafikimit të narkotikëve, trafikimin e femrave për prostitucion, vjedhje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim prone me zjarr.
Kriminaliteti
Në një analizë lidhur me treguesit mbi gjendjen e kriminalitetit, raporti i prokurorisë vlerëson se gjatë vitit 2009 ka pasur rritje numri i veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, konkretisht aksidentet. Ndërkohë ka ulje në numrin e veprave penale kundër jetës dhe shëndetit ku përfshihen vrasjet, tentativat e vrasjes, plagosja dhe një sërë krimesh të tjera. Prokuroria e Përgjithshme pohon në raport se ka ulje në nivel kombëtar e veprës së kultivimit të bimëve narkotike si pasojë e aksioneve të policisë dhe masave të ashpra të dënimit që janë dhënë për rastet e konstatuara.
Kërkesat e prokurorisë
Në raportin e saj, kryeprokurorja ka renditur edhe një sërë kërkesash dhe prioritetesh me qëllim rritjen e efikasitetit të punës kundër krimit. Prokurorja e Përgjithshme kërkon rritjen e fondit në buxhetin e Prokurorisë për të rritur numrin e punonjësve me qëllim plotësimin e organikës së organit të akuzës. Një tjetër kërkesë është amendimi i ligjeve me qëllim kufizimin e imuniteteve për ti hapur rrugë hetimeve efektive penale, për rastet e korrupsionit në detyrë. Kryeprokurorja kërkon amendim në ligj për ti dhënë mundësinë prokurorit të përgjithshëm të vendosë në lëvizje kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë për unifikimin e praktikave gjyqësore si dhe për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështje në juridiksion të saj. Në raport thuhet se prokuroria kërkon inicimin e një memorandumi bashkëpunimi me Departamentin Antikorrupsion të Qeverisë. Lidhur në mardhëniet me policinë, Prokuroria vlerëson se ato kanë dhënë rezultat në luftë kundër krimit, por siç thuhet në raport, paqëndrueshmëria në detyrë e Oficerëve të Policisë Gjyqësore, ka ndikuar në hetime. Lidhur me mardhëniet në Ministrinë e Drejtësisë, në raport thuhet se ky dikaster ka kryer kontrolle në Prokurori dhe ka kontestuar vendimet e dhëna nga prokurorët në 280 çështje penale gjatë kontrollit në 2009. "Janë shfuqizuar 47 vendime të marra nga prokurorët pas kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë", thuhet në raport. Sipas tij, informacionet e referuara nga Shërbimi Informativ kanë rezultuar të bazuara dhe kanë ndihmuar në orientimin e drejtë të procedimeve penale. Prokuroria thotë se KLSH ka paraqitur dhjetë kallëzime penale gjatë vitit 2009, nga 38 kallëzime të paraqitura në vitin 2008 ndërkohë që Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë paraqiti në 2009 13 kallëzime penale nga 23 padi në vitin 2008. tr.so

Të dhënat e Prokurorisë, 2009

22276 procedime penale
623 procedime të rifilluara
5679 procedime të mosfilluara
89 të pandehur për korrupsion, (82 në 2008)
303 të pandehur për vepra penale në lidhje me detyrën
26 të pandehur për pastrim parash, (21 në 2008)
2157 të pandehur për "vjedhje të pasurisë", (2284 në 2008)
493 të pandehur për "mashtrim", (334 raste në 2008)
77 të pandehur për krime lidhur me taksat e tatimet, (58 në 2008)
1 procedim penal, për vepra për qëllime terroriste
4 organizata kriminale hetuar nga P.Kr. Rënda
17 grupe të strukturuara kriminale, hetim nga P.Kr.Rënda
54 procedime për "pastrim të produkteve të ardhura nga krimi"

"Gjykatat ulin dënimet e huaja"

TIRANE - Prokuroria thekson në raport se gjatë vitit 2009 janë ndeshur problematika në lidhje me ligjin për bashkëpunimin me autoritetet e huaja. Ky ligj i ka kaluar prokurorisë detyrimin e përkthimit të dosjeve që vijnë nga jashtë vendit ndërkohë që nuk janë parashikuar fonde shtesë dhe as organikë punonjësish për ta realizuar përkthimin e akteve. Një tjetër element që vë në dukje prokuroria në raportin e saj është se gjatë vitit 2009 pati një numër të madh dënimesh penale të dhëna nga gjykatat e huaja për shtetas shqiptarë të cilët u paraqitën në gjykatat tona për "njohje dënimi". Sipas prokurorisë, vihet re një ulje e dënimeve nga Gjykatat shqiptare krahasuar me dënimet e dhëna nga gjykatat e huaja. Problematike mbetet edhe çështja e hetimit të krimeve të kryera nga shqiptarët jashtë vendit dhe veçanërisht në Itali pasi provat, dëshmitë dhe faktet janë jashtë territorit të Shqipërisë.

U ndëshkuan 18 prokurorë e gjyqtarë
TIRANE - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama shprehet në raport se gjatë vitit 2009 u proceduan disiplinarisht 13 prokurorë. Sipas raportit, një tjetër prokuror u hetua dhe u akuzua për "ushtrim të ndikimit të paligjshëm", një prokuror i akuzua për "shpërdorim detyre" ndërsa nga 13 të proceduarit në mënyrë disiplonore, gjashtë u propozuan për shkarkim, dy u ulën në detyrë si dhe të tjerët u ndëshkuan vërejtje me paralajmërim. Ndërkohë janë hetuar tre gjyqtarë për korrupsion pasi është kërkuar autorizim për heqje imuniteti nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Një gjyqtar është çuar në gjyq për korrupsion kurse të tjerët janë në hetim.

Akuza "kthen sytë" nga vetëvrasjet
TIRANE - Prokuroria duket se gjatë vitit 2009 ka "kthyer" sytë nga vetëvrasjet. Nga asnjë procedim penal për këto krime në vitin 2008, gjatë vitit të kaluar në 2009, Prokuroria ka hetuar gjithsej shtatë procedime penale për "shkaktim vetëvrasje". Duket se diçka ka ndryshuar në mënyrën se si organi i akuzës po i trajton rastet e vetëvrasjes së personave. Më parë vetëvrasja e shtetasve dokumentohej dhe në fund dosja mbyllej me argumentin se autori i veprës penale kishte vdekur, por gjatë vitit 2009, prokuroria ka ngritur akuzë në shtatë raste pasi nga zgjerimi dhe thellimi i hetimeve është provuar se vetëvrasja e viktimave është shkaktuar nga të afërmit apo familjarët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›