E Diel, 1 Nëntor 2026

Prespa e Vogël, një fushë kallamishtesh

Një tabelë në hyrje të fshatit Tren në Devoll tregon se territori përreth është i pasur me objekte me interes turistik, si shpellar dhe fortesat e vjetra. Mes një liste të gjatë që tregon se çfarë mund të gjejnë turistët në këtë zonë, përmendet edhe liqeni i Prespës së Vogël. Në ndarje të dy rrugëve, njëra prej të cilave të çon drejt liqenit, syri të sheh vetëm sipërfaqe të cilat ngjasojnë me toka bujqësore. Tek-tuk syri të kap edhe pjesë me ujë, vende-vende me ngjyrë të errët, dhe në disa pjesë të vogla të formuara mes kallamishteve me një ngjyrë të zbehtë në gri. Ky është liqeni i Prespës së Vogël. Një vizitor që merr rrugën nisur nga tabela orientuese për turistët, ndërsa mundohet të gjejë se ku ndodhet në fakt liqeni, përballet me një moçalishte.

Vdekja e liqenit

Prespa e Vogël po shkon drejt pikës së vdekjes. Për banorët e zonës ky liqen ka vdekur tashmë dhe është zhdukur plotësisht. Aty s‘ka më gjurmë të liqenit të dikurshëm ku me varka banorët niseshin nga bregu për të peshkuar. Nuk ka shenja jete të një liqeni, por as gjallesa. Disa rrjeta që janë hedhur në vendin ku duhet të fillonte liqeni, janë vënë aty nga banorët me shpresën se mund të ngecë në të ndonjë ngjalë. I mbushur me kallamishte dhe aluvione liqeni po shkatërrohet çdo ditë e më shumë, ndërsa për peshkim as që bëhet fjalë. Për autoritetet vendore, ky liqen është zhdukur. Peshkatarët e pakët të zonës së Devollit dhe fshatrave në afërsi të këtij liqeni, të cilët mund të futen në ujërat e tij me disa varka të kalbura, sa vijnë e rrallohen. Ata të cilët kalojnë në afërsi të liqenit janë të rrallë. Këtej janë zhdukur edhe lëvizjet e banorëve. Të vetmit që kalojnë në rrugën ngjitur me ish-liqenin e bëjnë këtë vetëm për të shkuar në fshatin Zagradec, që ndodhet pak më tej, ndërsa për turistë as që bëhet fjalë. Banorët kanë vite që nuk shohin të tillë, ndërsa ata pak vizitorë zhgënjehen kur nuk e gjejnë aty liqenin. Peshkimi që mbante me bukë një pjesë të mirë të banorëve, është zhdukur plotësisht, ndërsa të paktë janë ata të cilët herë pas here detyrohen të marrin guximin për të shkelur ujërat territoriale. Liqeni i Prespës së Vogël që lag tre shtetet, mund të lagë dhe mbajë me peshkim vetëm pjesën greke dhe maqedonase. Pjesa shqiptare përjeton varfërinë e zonës, por edhe ndëshkimin, kur afër një liqeni që mban një cilësim të tillë, nuk e kanë aspak një të tillë. Nga ky liqen banorët mund të vaditin tokat në verë, por as këtë nuk kanë shumë mundësi ta bëjnë, pasi të marrësh ujë që këtu për vaditje duhen shpenzime të mëdha. Peshkimi ka vdekur si aktivitet bashkë me zhdukjen e liqenit. Disa peshkatarë, marrin varkat dhe duke u fshehur mes kallamishteve kalojnë më pas në errësirë gjatë natës deri në pjesën greke, për të siguruar dy-tre kile peshk. Por kjo mund të ndodhë rrallë. Liqeni i Prespës së Vogël, që me një shikim të parë ka marrë pamjen e një fushe, detyron një pjesë të banorëve t‘i drejtojnë varkat nga pjesa greke e liqenit që ofron një tjetër pamje dhe nuk ka pësuar këtë shkatërrim. Por ndërsa nga viti në vit nuk është ndërhyrë për të përmirësuar gjendjen e liqenit, Prespa e Vogël rrezikon të shkatërrohet plotësisht nga mbushja e vazhdueshme me aluvione në pjesën shqiptare të tij. Për autoritetet e bujqësisë, liqeni tani është një moçal, ndërsa për banorët është gjetur si zgjidhje braktisja e fshatrave dhe ikja në emigracion. Ndërkohë, alarmi se ky infektim mund të prekë edhe ujërat territoriale greke ka bërë që të diskutohet edhe mundësia e pastrimit të tij, kur nga përfaqësues të huaj është parë në vend dhe është vlerësuar situata kritike e këtij liqeni. Por deri më tani çdo gjë ka mbetur vetëm në kuadrin e diskutimeve mes palëve dhe projekteve të parealizuara, ndërsa nga dita në ditë liqeni i mbushur me kallamishte dhe i ndotur po humbet përmasat, por edhe vetë natyrën dhe karakterin e vet si një liqen me ujë të ëmbël. Për këtë zonë në afërsi të fshatit Tren është folur shpesh për investime, por nuk është bërë asgjë. Ajo që shqetëson më shumë në këtë situatë, është fakti se banorët nuk mund të hyjnë më në ujërat e liqenit, pasi aty janë zhdukur gjallesat. Në breg shumë rrallë sheh banorë me grepa që kapin zhaba, ndërsa tregojnë se në pjesën shqiptare nuk ka më peshq. Vasfi Kape, një banor i Trenit thotë se shumë rrallë shikon në mëngjes peshkatarë që kthehen nga mundimi i natës për të peshkuar në ujërat greke. Ai thotë se banorët nuk hyjnë më në ujërat greke, nga frika se mund të kapen nga patrullat e policisë, gjë që jo në pak raste ka çuar edhe në arrestime për shkelje të paligjshme të kufirit. "Ka shumë kohë që këtu nuk futen më peshkatarë nga frika se po të shkojnë në ujërat greke kapen nga policia. Është në sakrificë shumë e madhe që e ndërmarrin disa persona nga varfëria dhe hyjnë me varka natën për të shkuar për peshk në pjesën greke dhe kthehen në orët e para të mëngjesit. Po edhe kjo po ndodh shumë rrallë. Këtu në pjesën tonë nuk ka më peshq, se liqeni është prishur dhe është mbushur me kallamishte, vetëm zhaba mund të gjesh pranë fshatit", thotë ai. Në pjesën greke çdo gjë është normale, një liqen me ujë të kaltër, me gjallesa dhe i pastër. Por përhapja e mëtejshme dhe avancimi i aluvioneve nuk përjashton as infektimin nga kjo sëmundje e pjesës greke, që në dy vitet e fundit kujtohet shpesh të njoftojë palën shqiptare për të marrë masa për pastrimin.

Si u shkatërrua Prespa e Vogël

Dëmtimi i krejt sipërfaqes së liqenit të Prespës së Vogël ka ardhur si rrjedhojë e derdhjes në të të kanalit të Vëntrokut, pjesë e lumit Devoll. Kjo ka shkaktuar mbledhjen e ujërave të turbullta në liqen dhe rritjen e shtresës së llumit nga viti në vit. Degradimi i liqenit të Prespës së Vogël do ta kishte zanafillën në vitet ‘70, kur një grup specialistësh vendosi devijimin e lumit për të realizuar ujitjen e fushës së Korçës në një sipërfaqe prej 6000 ha, gjë e cila jo vetëm dështoi, por ndikoi dhe në ndotjen e liqenit dhe zvogëlimin e sipërfaqes së tij. Tentativat e kohës së komunizmit për ta përdorur liqenin për vaditjen e fushës dështuan. Por më pas nuk u bë e mundur që të pengohej derdhja e lumit në këtë liqen. Materiale të shumta të ngurta, aluvione dhe dhera të sjella nga lumi Devoll, vit pas viti e mbushën shtratin e liqenit. Si rrjedhojë, peshkimi i cili deri në vitet ‘70-të ka qenë aktiviteti kryesor ekonomik për popullsinë lokale tashmë, do shkonte drejt fundit. Ka qenë viti 1976 kur autoritetet shqiptare devijuan lumin Devoll në Prespën e Vogël. Sipas specialistëve të asaj kohe, u vlerësua nga një studim se rreth 30-35 milionë metër kub ujë në vit mund të merrej nga liqeni për nevojat e ujitjes së fushës së Korçës. Por përgjatë viteve, sedimentet aluvionale të sjella nga lumi mbushën fillimisht pjesën e cekët jugore të liqenit, duke avancuar më pas në pjesën e hapur të ujit dhe duke bllokuar si rrjedhojë edhe furnizimin e liqenit me ujë të freskët nga burimet nëntokësore. Me qëllim që të pengohej procesi i depozitimit të sedimenteve u ndërtua një damë, por nuk dha efektet që priteshin. Kjo shënoi edhe dështimin e dytë të përpjekjeve për ta përdorur liqenin për vaditje. Si shtesë e sistemit u ndërtua më pas në breg një stacion pompimi për marrjen e ujit nga liqeni dhe kalimin e tij në kanalin marrës për ujitjen e fushës. Skema nuk funksionoi as këtë herë. Marrja e ujit po bëhej gjithnjë e më e vështirë për shkak të avancimit të depozitimeve. Kjo çoi në braktisjen e kësaj ideje. Që nga viti 2000 punimet ujore u braktisën dhe që atëherë nuk ka më marrje të ujit. Paralelisht me këto zhvillime, efektet e sedimentimit lejuan zhvillimin e vegjetacionit që u përhap në një nivel të lartë dhe çoi në zvogëlimin e sipërfaqes së liqenit të Prespës së Vogël.

Studimet

Ekspertët e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, kanë hartuar disa projekte, por nuk i kanë zbatuar

Tentativat për të ruajtur

liqenin dështojnë vit pas viti

Në fillim të vitit 2000, avancimi i tepërt i kallamishteve të aluvioneve që po shkatërronin liqenin në pjesën shqiptare, bëri që mes tre shteteve që lagen nga ky liqen të nisin tratativat për menaxhimin e burimeve ujore të përbashkëta. Në shkurt të atij viti, pasi ishte nënshkruar një marrëveshje trepalëshe nisën studimet e para për lidhjen e lumit Devoll me liqenin e Prespës së Vogël. Degradimi i liqenit në pjesën shqiptare bëri që të nisin studimet nga specialistë të vendeve fqinje dhe vendeve të tjera. Rezultatet ishin të tmerrshme. Sipas raportit të mbyllur në vitin 2006 nga të huajt, Prepsa e Vogël rezultoi se nga derdhja e lumit në të kishte degraduar plotësisht natyrën e liqenit, duke shkaktuar ndikime negative mjedisore dhe social-ekonomike për komunitetin në pjesën shqiptare. Në studim e bërë nga ekspertë hidrologë, inxhinierë dhe biologë, vendi ynë u vu para kushtit se duhet të menaxhojë sa më parë burimet ujore rajonale për të respektuar marrëveshjet për parkun ndërkufitar të Prespës, pasi avancimi do të çonte në dëmtimin e ekosistemit në rajon. Nga ana e shoqërive mjedisore nisën edhe projektet e para, por që as sot e kësaj dite nuk kanë gjetur vend për zbatim. Nga raportet ndërkombëtare rezulton se të dyja vendet (Shqipëria dhe Greqia) që kanë nënshkruar marrëveshjet për studimin e zonës kanë mangësi në vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe në monitorimin mjedisor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›