E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, tri pistat e hetimit për trafikun e armëve

Linja e dyshuar për trafikun e armëve nga depot e municioneve në fshatin Gërdec po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në tri pista. Sipas të dhënave të para, hetuesit e çështjes kanë mbledhur informacione se në Gërdec mblidheshin municione të rënda, ripaketoheshin dhe më tej niseshin pa inventar për t‘u shitur, kryesisht në vatrat e luftës në të gjithë botën. Grupi hetimor që verifikon trafikun e armëve po përqendrohet në pistën e parë në evidencat e daljeve të municioneve nga pikat doganore, kryesisht nëpërmjet Aeroportit të Rinasit dhe Portit të Durrësit. Por nuk përjashtohen as aeroportet ushtarake si në Kuçovë dhe Gjadër, ku dyshohet se kanë lëvizur disa aeroplanë për transportimin e municioneve. Ndërkohë janë sekuestruar evidencat e municioneve të ardhura në fabrikën e Gërdecit dhe se sa fishekë kanë dalë prej saj. Gjatë ditëve të fundit, objekt hetimi janë bërë dokumentet dhe evidencat e transportimit të fishekëve, me kërkesë të MEICO-s dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dërguar firmës "Albademil" për çmontime në Gërdec, pasi dyshohet se firma në fjalë i ka trafikuar një pjesë të tyre në vende të ndryshme të Lindjes. Sipas burimeve nga akuza, për këtë dyshim po kryhet verifikimi dhe ballafaqimi i dokumenteve të sekuestruara në Shtabin e Përgjithshëm, pranë zyrave të MEICO-s, pranë doganave dhe firmës "Albademil".

Pista e dytë për trafikun e armëve do të jetë në të njëjtën linjë me kasetën e bisedës drejtues i kompanisë amerikanë "AEY Efraim Diveroli" me Kosta Trebickën. Një kopje e saj, në formën audio, po verifikohet nga prokurori Kostaq Beluri, nëse përmban ose jo elemente të veprës penale. Sipas akuzës, biseda është përgjuar me një telefon NOKIA nga Kosta Trebicka, biznesmen shqiptar. Në të flasin Trebicka dhe Efraim Diveroli, president i kompanisë "AEY Inc" me qendër në Miami. Biseda fokusohet rreth një tenderi për shitjen e fishekëve në Afganistan, nga kompania amerikane e kontraktuar nga Departamenti i Shtetit. Ndërkohë, Geri Kokalari, një figurë e njohur e komunitetit shqiptaro-amerikan, i ka dërguar një shkresë ish-kryeprokurorit Sollaku dhe kryeprokurores Ina Rama. Në këtë letër ai tregon të gjitha detajet e aferës së armëve dhe përgjimit të bërë në Tiranë. Sipas Kokalarit, "AEY Inc", kompani e bazuar në Miami, që merret me biznesin e metalit dhe riciklimit të tij, fitoi një kontratë 300 milionë dollarë me qeverinë amerikane për të furnizuar me armë ushtrinë afgane. Firma amerikane duhet të siguronte armatim të këtij lloji. Ky armatim, në shumicën e rasteve prodhim rus dhe kinez, gjendej me shumicë në vendet e Lindjes dhe në Shqipëri. Në përgjim flitet për një sërë abuzimesh në lidhje me nënshkrimin e tenderit. Faktet i janë servirur grupit hetimor të Krimeve të Rënda, ndërsa ka filluar verifikimi i tyre.

Deklaratat e punëtorëve të "fabrikës së vdekjes" për kushtet e punës, trafikun e dyshuar të municioneve po verifikohen nga prokurori. Pas tragjedisë, rreth 100 punëtorë dhe ish-punëtorë kanë dëshmuar. Ata kanë hedhur disa versione, midis të cilave edhe trafiku i municioneve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›