Helmohen dy femra nga pesticidet e fruta-perimeve
Dy femra janë helmuar në kushte të ndryshme, por njëra prej tyre ndodhet në rrezik për jetën. Ngjarjet kanë ndodhur në Kavajë, ndërkohë që njëra prej tyre është helmuar nga ushqimi, ndërsa një tjetër nga helmi kur po spërkaste rrushin. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja e parë është regjistruar rreth orës 12:00 në fshatin Spanesh të Kavajës. Sipas të dhënave hetimore, në banesë është vetëhelmuar me ushqime Orgesta Spaneshi, 17 vjeçe. Ajo ka qenë duke ngrënë perime të kopshtit, por i kanë bërë reaksion nga pesticidet, që nuk ishin tretur. Ajo është dërguar menjëherë në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa rasti i dytë është shënuar në orët e pasdites. Pikërisht rreth orës 18.15, në fshatin Rrakull të Kavajës, në banesë, duke spërkatur rrushin, është vetëhelmuar me pesticide Neslije Rrushi, 60 vjeçe. Ajo është dërguar menjëherë në spital nga familjarët, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe është marrë nën kujdesin e mjekëve. Nga ana tjetër, për këtë rast është njoftuar edhe policia, që ka nisur kryerjen e veprimeve procedurale. Burimet nga spitali bënë të ditur se e helmuara 60-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.