E Diel, 1 Nëntor 2026

Vala e aksidenteve në Tiranë, policia arreston dy shoferë

Policia ka ashpërsuar masat ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor. Madje, edhe nga aksidente vetëm me të dëmtuar lehtë mund të sjellë arrestimin e shoferëve. Kështu ka ndodhur me dy drejtues mjetesh, të cilët kanë shkaktuar aksidente gjatë 24 orëve të fundit dhe tashmë kanë përfunduar në qelitë e paraburgimit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, me anë të Shërbimit të Policisë Rrugore, kërkuan mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjeteve të tyre, si dhe rregullat e legjislacionit rrugor, me synim parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe sigurimin e rrjedhshmërisë normale të trafikut. Dy net më parë, efektivët e seksionit të hetimit të aksidenteve rrugore në policinë e Tiranës, kryen arrestimin në flagrancë të Artur Pjetrit, 33 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye, pasi rreth orës 15.30, duke drejtuar automjetin tip "Volkswagen", me targa TR 6377 R, në rrugën "Xhorxh Bush", pranë kryqëzimit me rrugën "Murat Toptani", është përplasur me motoçikletën "Piagio", drejtuar nga Valer Kullagini, 47 vjeç. Për pasojë është aksidentuar rëndë drejtuesi i motorit dhe aktualisht ndodhet nën kontrollin mjekësor në Spitalin Ushtarak Tiranë. Gjithashtu, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Dritan Shaba, 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë, pasi rreth orës 21.00, në rrugën Ura e Farkës-Mullet, duke drejtuar automjetin tip "Furgon Ford", me targa të huaja, ka aksidentuar Valbona Burnocakën, 40 vjeçe, lindur dhe banuese në Mullet. E aksidentuara, në momentin e përplasjes po kapërcente rrugën nga njëri krah në tjetrin. Ajo u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Policia shpjegoi se për të dy rastet u kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›