Pensionet false, ndjekje penale 10 vetave
Dhjetë persona janë dërguar për ndjekje penale nga seksioni i antikorrupsionit, pasi për vite me radhë kanë përfituar pensione me dokumente false. Bëhet fjalë për vazhdimin e operacionit te Sigurimet Shoqërore, ku prej shumë kohësh, specialistët e antikorrupsionit kanë nisur një hetim të gjerë, pasi është abuzuar shumë me dhënien e pensioneve. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se vetëm para dy ditësh u dërguan dhjetë persona të tjerë për ndjekje penale, mes të cilëve edhe një ish-inspektore e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Sipas të dhënave hetimore, nga seksioni kundër korrupsionit filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit Razije Allaraj dhe Musa Lita, përkatësisht 59 e 50 vjeç, banues në Vaqar e Paskuqan, sepse për vite me radhë kanë përfituar pension në rrugë të paligjshme, duke falsifikuar dokumentet. Gjithashtu, me zbulimin e tyre, filloi procedimi penal edhe për Luiza Subashin, ish-inspektore në DRSSH, sepse me anë të mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës, kanë përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme dy personat e lartpërmendur. Policia tha se ajo tashmë është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e saj. Megjithatë, gjatë verifikimit të dosjeve, policia ka zbuluar edhe shtatë persona të tjerë, të cilët kanë abuzuar në të njëjtën mënyrë për përfitim pensionesh. Kështu, nga grupi hetimor mësohet se filloi procedim penal në gjendje të lirë për shtetasit Hasan Livadhi, 68 vjeç, Hamide Lika, 56 vjeçe, Elena Shemko, 59 vjeç, Qefsere Koni, 59 vjeçe, Bakushe Brahja, 62 vjeçe, Qazim Lila, 62 vjeç dhe Feride Rezi, 56 vjeçe. Sipas policisë, këto janë pensioniste nga zona të ndryshme si Zall-Herri, Paskuqani, Bërxulla e Kamza. Madje, disa prej tyre në deklaratat e dhëna në polici janë shprehur se kishin paguar shuma të ndryshme parash për përfitimin e pensioneve. Grupi hetimor deklaroi se ata kishin falsifikuar dokumente sikur kishin qenë punonjës në ndërmarrje të ndryshme, duke përfituar kështu pensione maksimale pleqërie. Operacioni ka nisur prej disa muajsh dhe herë pas here, të akuzuar të ndryshëm, edhe zyrtarë të sigurimeve shoqërore janë dërguar për gjykim.