E Diel, 1 Nëntor 2026

Qafë-Thanë, pranga policit maqedonas

Një oficer policie maqedonas ka përfunduar në prangat e policisë shqiptare, pasi është kapur me një sërë dokumentesh të falsifikuara, teksa tentonte të "arratisej" drejt Italisë. 35-vjeçari, i cili ishte pajisur me pasaportë maqedonase, por edhe një tjetër bullgare, ka tentuar të kalojë kufirin shqiptar në Qafë-Thanë, por uniformat blu të Policisë së Shtetit kanë rënë në gjurmët e tij, duke zbuluar gjithë planin e kalimit klandestin. Kështu, Ljupoi Taneksi, i cili kishte marrë leje dyjavore tek autoritetet e tij, është arrestuar në Qafë-Thanë, ndërkohë që është proceduar penalisht edhe shoku i tij.
Burimet policore nga policia kufitare bënë të ditur se identifikimi i këtij personi është bërë mëngjesin e djeshëm, teksa ai po kalonte në pikën e kalimit kufitar, Qafë-Thanë. Sipas të dhënave policore, ai ishte pasagjer në vendin e parë të një makine, që drejtohej nga një tjetër maqedonas. Por, gjatë verifikimit të dokumenteve në pikën e kalimit kufitar, ai nuk ka ditur të japë shpjegime se ku po shkonte dhe sa do të qëndronte në territorin shqiptar. Kjo ka sjellë dyshime te drejtuesit e policisë, të cilët janë detyruar të shoqërojnë dy personat maqedonas për në ambientet policore të Komisariatit të Pogradecit. Gjithashtu, për momentin atyre u është bllokuar edhe mjeti me të cilin udhëtonin. Por, në këtë kohë, maqedonasi Ljupoi Taneksi, 35 vjeç ka futur në lojë kartën e profesionit të tij. Ai ka deklaruar se ishte koleg i tyre, pasi ishte oficer policie në Maqedoni. Më tej, ai ka shpjeguar se kishte marrë dy javë leje dhe do të udhëtonte nëpër Shqipëri. Por, prapë policia shqiptare nuk është bindur dhe ka kërkuar informacion nga homologët maqedonas.
Nga ana tjetër, teksa pritej një përgjigje nga pala maqedonase, policia shqiptare ka ushtruar kontroll në makinën e bllokuar, ku brenda saj janë gjetur disa dokumente të falsifikuara. Këto dokumente ishin të gjitha me fotot e 35-vjeçarit Taneksi, ndërkohë që me emra të rremë dhe me shtetësi bullgare. Atij i është kërkuar llogari në lidhje me këto dokumente, por nuk ka ditur të justifikohet. Më tej, policia ka bërë verifikimin e dokumenteve të bllokuara, ku sipas të dhënave, ishin një pasaportë, një kartë identiteti dhe një patentë, të gjitha bullgare, të cilat kanë rezultuar false. Në këto kushte, policia ka vendosur ndaj maqedonasit masën e ndalimit, ndërkohë që ka mbërritur edhe përgjigjja nga homologët. Ata kanë deklaruar se 35-vjeçari ishte punonjës policie në Ohër dhe kishte kërkuar leje për arsye familjare. Më pas, policia ka nisur hetimet e mëtejshme dhe nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se punonjësi i policisë kishte punësuar një mikun e tij ta sillte deri në Tiranë. Më pas, me pasaportë bullgare të falsifikuar, ai do të tentonte të largohej drejt Italisë, duke përdorur Aeroportin e Rinasit. Madje, ai do të përdorte mikun e tij që të kthente pasaportën në Maqedoni, por plani i tij ka dështuar, e tashmë i vetmi vend ku mund të shkojë është qelia. Gjithashtu, policia tha se po vazhdojnë hetimet për të parë, nëse polici maqedonas merrej me ndonjë gjë tjetër të kundërligjshme, apo i gjithë aktiviteti i tij ishte për kalim të paligjshëm të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›