Rreziku nga amianti, Bashkia e Fierit jep alarmin
Fieri nuk po i shpëton dot rrezikut nga ndotjet industriale. Ky qytet është i rrethuar nga prania e lartë e amiantit, lëndë kjo që konsiderohet si mjaft e rrezikshme dhe me impakt të lartë në mjedis. Alarmi për praninë në nivele të larta të amiantit është dhënë gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë e qytetit mes përfaqësuesve të shoqatës belge të specializuar për identifikimin dhe trajtimin e amiantit "Pegase" me kreun e bashkisë, Baftjar Zeqaj, dhe administratën e tij. Gjatë takimit është vlerësuar si domosdoshmëri evidentimi i zonave të ndotura me amiant. Fillimisht, përfaqësuesit e shoqatës belge kanë bërë një panoramë të rrezikshmërisë së amiantit në mjedis. Sipas tyre, kjo lëndë industriale shkakton edhe sëmundje të pashërueshme dhe vdekjeprurëse si kanceri. Fieri konsiderohet si një nga tri qytetet më të ndotura nga kjo lëndë në Shqipëri. "Nga kontrollet paraprake ka dalë se qyteti i Fierit është i rrethuar nga amianti", tha një nga përfaqësuesit e shoqatës belge. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftajr Zeqaj, shpjegoi se evidentimi i amiantit me përqendrim të lartë është bërë në zonën industriale të Fierit, si dhe në sipërfaqen ku kanë qenë serat me ngrohje, në daljen lindore të qytetit. "Fieri ka me dhjetëra magazina të mëdha me amiant, ndaj kërkohet që kjo ndotje e rrezikshme të largohet menjëherë. Gjithashtu, kërkohet trajtim i të gjithë qytetit, si dhe rehabilitim i zonave ku amianti është i përqendruar në sasi të mëdha", tha kryetari i bashkisë. Rreziku nga amianti shihet edhe në ndërtesa dhe shtëpi të banuara. Kështu, gjatë një faze të parë verifikimi janë evidentuar më shumë se 100 shtëpi banimi ku amianti është i pranishëm. Bëhet fjalë për ato shtëpi që i kanë çatitë prej terniti. Pritet që shumë shpejt të nisë zbatimi i një projekti për trajtimin përfundimtar të amiantit në Fier.