Helmohen pas syfyrit, vdes gruaja
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Vdes e helmuar nga ushqimi 65-vjeçarja, shpëton për pak i shoqi. Dy të moshuar, praktikues të fesë islame, ishin ngritur mëngjesin e djeshëm për të ngrënë syfyrin, por pas 2 orësh, Deje Hila gjeti vdekjen. Sipas burimeve të policisë, ngjarja është nën hetim për të gjetur llojin e ushqimit që ka shkaktuar helmimin e gruas. Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, në fshatin Çermë të Lushnjës, në banesën e 69-vjeçarit Ramadan Hila, i cili jetonte aty bashkë me të shoqen. Dy të moshuarit kishin qenë me Ramazan dhe për këtë agjëronin qysh nga nisja e tij, por duket se dita e parafundit e muajit të madhërueshëm ka qenë fatale për të zonjën e shtëpisë. Sipas mjekëve reanimatorë dy të moshuarit u transportuan në urgjencë nga të afërm rreth orës 06:00 të mëngjesit, në gjendje tepër të rëndë shëndetësore. Rreth 30 minuta më vonë, pavarësisht ndihmës së shpejtë, gruaja ka ndërruar jetë. I shoqi i saj, pas disa orësh ka mundur të kapërcejë rrezikun. Të afërmit, e mbledhur dje para morgut të spitalit të Lushnjës treguan se çifti Hila është gjetur në gjendje të rëndë, të rrëzuar pa ndjenja përtokë. Familjarët dhe të afërmit kanë shkuar herët për t'u interesuar për të moshuarit që çoheshin çdo mëngjes, por janë tronditur nga skena. Ata i kanë transportuar për në spitalin e Lushnjës, ku kanë treguar se Ramadan dhe Deje Hila kishin ndjerë shqetësime dhe gjatë orëve të natës. "Kërkuam ndihmë dhe u munduam t'i lëviznim, por ata nuk u përmendën. Menjëherë morëm një makinë dhe i sollëm në spitalin e qytetit të Lushnjës", shprehen të afërmit. Por, ndërsa të afërm të çiftit nuk kishin dijeni për çfarë kishte ndodhur në momentet para se të humbnin ndjenjat, ka qenë vetë kryefamiljari, i cili ka rrëfyer gjithçka pasi është përmirësuar. "Konsumuam në mëngjes fasule, oriz me qumësht, pimë edhe pije freskuese. Shqetësime kishim pasur dhe në darkë, por në mëngjes nuk e morëm vesh çfarë na ndodhi", ka rrëfyer Ramadan Hila, i pyetur nga policia e Lushnjës. Për shumë orë ai nuk ka pasur dijeni për fatin e së shoqes, pasi familjarët vendosën t'ia tregonin sapo ai të merrte veten nga gjendja e krijuar. Hila mësohet se po mjekohet për helmim ushqimi, ndërsa ende nuk dihet saktë nga se është shkaktuar ai. Mjekë të spitalit të Lushnjës kanë treguar se sapo kanë mbërritur në spital të moshuarve u është dhënë ndihma e parë, por ajo ka rezultuar joefektive për 65-vjeçaren. Menjëherë pas ngjarjes, një grup i specializuar hetimor nga komisariati i Lushnjës, në bashkëpunim edhe me organet kompetente të shëndetësisë kanë filluar punën për zbardhjen e ngjarjes. Për të zbuluar të vërtetën rreth helmimit të çiftit Hida janë marrë kampionë të ushqimit dhe pijeve të konsumuar nga të moshuarit gjatë darkës dhe mëngjesit, që rezultoi vdekjeprurëse për njërin prej tyre. Ndërkohë burime në rrugë jozyrtare tregojnë se ky helmim mund të ketë ndodhur nga perimet e bëra sallatë ose nga fasulet, pasi në to mund të ketë ngelur një sasi kimikati me bazë fosfori, i cili përdoret zakonisht për bujqësinë.